Maqedoni: Kriza politike po i paralizon bizneset

E publikuar: 02/05/2016 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kriza politike ka bërë që kompanitë në Maqedoni të ulin produktivitetin e tyre, si dhe të mos mendojnë fare për rritjen e numrit të punësuarve, pasi siç thonë, nga partnerët e tyre të jashtëm, janë paralajmëruar se mund t’i anulojnë marrëveshjet për bashkëpunim.

Maraija Zarezankova-Potevska, eksperte e ekonomisë, thotë se nëse zgjat kriza politike, Maqedonia do të përballet me anulimin e marrëveshjeve që kanë kompanitë e huaja duke i dhënë një goditje të fortë ekonomisë së vendit.

Zarezankova thotë se nuk ka shkop magjik për zgjidhjen e problemeve në sektorin e biznesit, por zgjidhja e krizës politike do të reflektojë me sinjale pozitive edhe në ekonomi.

“Duhet pasur frikë nga anulimi i marrëveshjeve të ndryshme që kanë biznesmenët vendorë me kompanitë e huaja, të cilët duket se tashmë kanë filluar të shprehin shqetësimin për të bashkëpunuar me një vend që nuk ka stabilitet, siç është Maqedonia. Anulimi i marrëveshjeve të këtilla do të sjellë pasoja shumë negative për Maqedoninë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Marija Zarezankova-Potevska.

Ndërkaq, për afaristin Venko Gligorov, çdo krizë reflekton negativisht në biznes.

Gligorov thotë se, për fat të keq, kriza në Maqedoni është e shtresuar në më shumë dimensione. Në njërën anë, janë rendet negative të klimës ekonomike në botë dhe në anën tjetër, bizneset në Maqedoni përballen me mungesën e sundimit të drejtësisë, mosefikasitetin e administratës, kthetrat e strukturave të pushtetit që mbajnë nën kontroll çdo pore të biznesit dhe së fundmi kemi protestat dhe kundër-protestat.

“E para, nga jashtë, kur shohin se ka trazira fillojnë të bëjnë porosi në një afat më të shkurtër kohor dhe u shmangen marrëveshjeve afatgjate. Nëse fillojnë të anulohen marrëveshjet me partnerët e jashtëm, kjo do të bllokojë punën e kompanive vendore, me këtë dhe ekonominë e Maqedonisë në përgjithësi”.

“E dyta, produktiviteti i punëtorëve të cilët punojnë në kompaninë time, po edhe në kompanitë tjera, në këtë moment, është shumë më i ulët. E dini, të gjithë janë të preokupuar me politikën, frikën nga devalvimi i denarit, pamundësinë e shlyerjes së kredive dhe mospagesën e faturave dhe shumë më pak i përkushtohen punës. Kjo krizë dhe situatë pa rrugëdalje, fillon të bllokojë çdo gjë”, thekson afaristi Andonovski.

Edhe Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë se me gjithë fushatat e qeverisë për inicimin e punësimeve në sektorin privat, zhvillimet e fundit veçanërisht politikat e gabuara të qeverisë, kanë bërë që kompanitë të mos mendojnë fare për rritjen e numrit të punësuarve.

“Tanimë një kohë të gjatë duket se nuk ka vende të reja të punës në sektorin e biznesit, sektor i cili duhet të jetë lokomotivë e një ekonomie të shëndoshë. Por, në Maqedoni një punë mund të sigurohet vetëm në administratën publike, qoftë në pushtetin qendror, apo atë komunal”, thotë Ademi.

Edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë javën e kaluar ka shprehur shqetësimin për ndikimin e zhvillimeve politike në vend në zhvillimin e ekonomisë.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Odës Ekonomike gjatë realizmit të një ankete kanë theksuar se nga partnerët e tyre të huaj kanë marrë paralajmërime për anulimin e bashkëpunimit me kompanitë e Maqedonisë.

Afaristët kanë ndezur alarmin se në momentin që kjo do të zbatohet, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë negativ, në prodhimin e kompanive të Maqedonisë, ndërkohë që kompanitë thonë se do të jenë të detyruar të zvogëlojnë dhe numrin e të punësuarve,si rrjedhojë e problemit me moslikuiditetin e kompanive.