Maqedoni: Kriza politike nxit gjuhën e urrejtjes në media

E publikuar: 16/07/2016 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kriza politike që ka përfshirë Maqedoninë, po përcillet edhe më gjuhën e urrejtjes nga personalitete të ndryshme, të cilët nëpërmjet medieve bëjnë thirrje madje edhe për dhunë ndaj atyre që i konsiderojnë “armiq të kauzës kombëtare”.

Rasti më i freskët është ai me Milenko Nedellkovskin, drejtues i një emisioni në një nga mediet nacionale, i cili publikisht është kërcënuar me djegien e ambasadave perëndimore, kërcënime me jetë të diplomatëve, përpilim listash të “tradhtarëve”, e kërcënime tjera.

Gjuhë e urrejtjes është regjistruar edhe nga personalitete e media tjera që kanë nxitur pakënaqësi, por edhe ndasi në shoqëri.

Gjuha e urrejtjes në bazë të ndryshimeve ligjore të para dy viteve, paraqet vepër penale, por institucionet po injorojnë këtë fakt dhe shumë herë deklarohen se janë jo kompetente për të proceduar rastet e tilla.

“Është e qartë se institucionet nuk dëshirojnë të kuptojnë rëndësinë e fjalimit të urrejtjes, pasi nxitjet vijnë para së gjithash nga personalitete publike të afërta me pushtetin. Kështu që, besoj se kjo është një nga arsyet për mungesën e një reagimi adekuat nga ana e institucioneve”, ka deklaruar Neda Çallovska, eksperte juridike pranë Komitetit të Helsinkit.

Sipas saj, shumë padi penale që janë paraqitur para institucioneve, madje edhe para tre vjetëve, jo që nuk kanë marrë epilog, por as që kanë nisur të shqyrtohen.

Në Këshillin e Etikës së Medieve brenda një viti janë shqyrtuar më shumë se 30 ankesa lidhur me gjuhën e urrejtjes.

Drejtorja e Këshillit, Marina Tuneva, ka thënë se përkatësia partiake dominon në denoncimin e rasteve të nxitjes së urrejtjes.

“Denoncimi i rasteve të tilla vazhdon, pra ato kanë për bazë gjuhën e urrejtjes. Ne po tentojmë që të ndërmarrim masa plotësuese, në kuptimin të reagojmë si Këshill i Etikës ndaj të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me fyerjet ndaj personave të caktuara. U rekomandojmë medieve që të kërkojnë falje për fyerjet dhe të njëjta t’i publikojnë në media”, ka deklaruar Tuneva.

Gjuha e urrejtjes, në bazë të dispozitave ligjore, duhet të luftohet edhe nga një Komisioni qeveritar për mbrojtje nga diskriminimi, por një pjesë e anëtarëve të tij janë të njohur për opinionin me shkrimet e tyre që shprehnin nxitje ndëretnike, si dhe gjuhë të urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë, transmeton rel.

Çështja e medieve është edhe një nga pikat e bisedimeve ndërmjet partive për zgjidhjen e krizës politike. Me marrëveshjen që pritet të arrihet, duhet të rregullohet edhe çështja e raportimit, përfshirë edhe shkrimet me nxitjet dhe ndasitë në shoqëri.