Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në konferencën e fundvitit të mbajtur sot, theksoi se gjatë këtij viti në fokus ka qenë zhvillimi i kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Para gazetarëve, Ministri Maqedonci tha se janë investuar mbi 270 milionë euro për blerjen e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, duke përfshirë dronët Bayraktar dhe sisteme të ndryshme të mbështetjes me zjarr.
“Ushtria jonë është shumë më e fuqishme dhe më e gatshme se në vitet e kaluara,” u shpreh ai.
Maqedonci theksoi se gjatë mandatit të tij janë rekrutuar 1,971 ushtarë të rinj, dhe se janë në proces rekrutimi edhe 300 të tjerë, duke e çuar numrin total të ushtarëve të rinj në 2,271.
“Krahas rritjes në numër, kemi mbështetur edhe rritjen e mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së, duke rritur pagën për 60%, nga 422 euro në 726 euro që do të aplikohet nga 1 korriku i vitit 2025″ deklaroi Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes përmendi në konferencë edhe nënshkrimin për hapjen e fabrikës së municionit.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe sigurinë e vendit”, tha ai.