Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka shprehur ngushëllime familjes së 30-vjeçarit që kishte rënë në lumin Mat në Shqipëri, e ku sot është gjetur nga njësitet e specializuara të kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës se Shqipërisë pas disa ditësh kërkimi në një teren sfidues dhe të vështirë kanë arritur të gjejnë në afërsi të fshatit Urakë, trupin e pajetë të Jurgen Karajt, të riut që ra në rrjedhën e lumit Mat së bashku me shokun e tij më 10 janar. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Shqipërisë dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme. Ngushëllime familjes Karaj dhe të afërmve të viktimës!”, ka shkruar Maqedonci.


















