Maqedonci: Serbia ka vendosur 3 brigada jo shumë larg kufirit me Kosovën

E publikuar: 27/05/2024 22:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dhënë alarmin për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik por edhe më gjerë.

Ministri Maqedonci tha se Serbia po rrit buxhetin për mbrojtjen dhe me armatime nga Rusia, Kina e Irani.

“Kryeministri Kurti e ka thënë shumë herë që militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani. Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”, tha ai në A2CNN.

Raportimet në shtypin serb se Beogradi ka thirrur rezervistët për stërvitje masive në mënyrë që të jetë i përgatitur për emergjencë kombëtare, ai tha se kjo është pjesë e armatimit të Serbisë për t’i shfrytëzuar për destabilizim.

“Kjo është pjesë e armatimit të Serbisë. Serbia po tenton të rrisë edhe personelin ushtarak që ti përgatisë për ndonjë momentum të caktuar që t’i shfrytëzojë për çështje të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka probleme me rekrutimin e personelit për forcat e saj të armatosura dhe po tenton që përmes presionit t’i detyrojë të paraqiten”.

Lidhur me avancimin e Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Maqedonci theksoi se Kosova, është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të aleancës.

“Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të NATO-s. Forcat tona janë duke u stërvitur. Vendi ynë ka treguar se ne e meritojmë të jemi drejt anëtarësimit. Kosova është e vendosur për të ecur drejt rrugëtimit në NATO e BE”.