Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se grupi terrorist i Milan Radoiçiqit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe po lëviz shpesh afër kufirit me Kosovën.
Maqedonci tha se fakti që ky grup po lëvizë afër kufirit me Kosovën, paraqet kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin, teksa tha se për herë të parë pas 25 vitesh, Policia e Kosovës tashmë e ka shtrirë rendin dhe ligjin në veri.
“Nga drejtori i policisë disa herë është theksuar fakti dhe janë prezantuar informacione për përfshirjen e këtij grupi në përgatitje të ndryshme brenda Serbisë dhe kjo e mban situatën fragjile dhe paraqet kërcënim për vendin”.
“Duke i shtuar faktin që ky grup ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, duke pasur parasysh evidencat, me theks sistemet e armatimit dhe që kanë qenë kryesisht sisteme të prodhuara në fabrikat shtetërore serbe dhe sisteme që nuk mund të blihen në treg komercial dhe fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë, vepron i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh edhe afër kufirit me Kosovën, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin”, tha Maqedonci për Kosovapress.
Më tej, Maqedonci përmendi si kërcënim për Kosovën edhe grupet, strukturat dhe prezencën ushtarake serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.
“Prezenca e këtyre bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe jo shumë larg kufirit me Kosovën vazhdon të paraqes kërcënim për vendin tonë. Duke i shtuar kësaj pastaj këtë çështjen e stërvitjeve, me të vërtetë vlerësojmë se minimalisht nuk është e hijshme që një vendi fqinj t’i dërgohet ushtri për të kryer stërvitje në kufirin e tij. Vlerësojmë se kjo është një formë presioni që Republika e Serbisë vazhdon të zbatojë kundrejt Republikës së Kosovës”, tha ai.