Manxhuka: Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka ndonjë problem me Glauk Konjufcën

E publikuar: 07/03/2026 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i është përgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës pasi kjo e fundit u shpreh se ka qenë e hapur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike si dhe ka ofruar edhe marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e presidentit, por se VV-ja ka refuzuar.  Manxhuka ka thënë se kryeministri Albin Kurti e kishte ftuar kryetarin e PDK-së në takim dhe se Bedri Hamza nuk kishte paraqitur kundërshti për Glauk Konjufcën si personalitet, që VV-ja e propozoi kandidat.

Ai ka shtuar se Konjufca u kandidua “krejt në fund” të afatit në pritje të një marrëveshje me opozitën.

Manxhuka ka theksuar se VV-ja kishte pasur problem me emra të atyre që u bënë presidentë më 2011 dhe 2016, por se nuk u takuan me ta.

“Si LVV në vitet 2011 dhe 2016 kemi pasur problem me emrat e përveçëm të atyre që u bënë presidentë asokohe. Dhe në vend të takimeve me neve, pushteti atëbotë na përndiqte e shtypte me polici. Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka naj problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, ka shkruar Manxhuka.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri i ka thënë të shtunën në një konferencë për media se problemi nuk është presidenti, por dëshira e VV-së për të kontrolluar çdo institucion. Ai ka thënë tutje se derisa nuk i ka pasur votat, VV-ja është dashur të kërkojë marrëveshje dhe konsensus, duke shtuar se VV-ja kishte refuzuar marrëveshjen dhe se ka insistuar vetëm në kandidatë partiakë.