Manipulimi i votave në veri dhe jug të Mitrovicës, 34 kryesuesë ndalohen për 48 orë

E publikuar: 01/02/2026 14:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga 43 kryesuesë të dyshuar për manipulim të votave, 34 prej tyre janë ndaluar për 48 orë.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Po, 34 persona janë ndaluar, nga Mitrovica e Jugut dhe ajo e Veriut”, ka deklaruar Preteni.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte njoftuar më herët se ka urdhëruar hetuesit të intervistojnë 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.