Eksperienca e dytë e tij në stolin e Interit nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme por Roberto Mancini është i kënaqur me punën e tij gjatë këtyre muajve. 50-vjecari italian është i mendimit se ka arritur t’i japë një tjetër dimension skuadrës zikaltër dhe tashmë Interi luan një futboll më të bukur.
“Mendoja se do të bëja më mirë përsa i përket rezultateve kur u riktheva te Interi, por gjithsesi besoj se në 5 muaj skuadra është përmirësuar shumë . Tashmë Interi shfaq një tjetër personalitet në fushën e lojës. Megjithatë e vërteta është që një trajner gjykohet gjithmonë nga rezultatet”.
Më pas Mancini iu rikthye të shkuarës teksa foli për fundin raportit me ish presidentin e Interit Massimo Moratti në përfundim të sezonit 2007-2008 me këtë të fundit shkarkoi nga detyra trajnerin italian duke ia besuar stolin portugezit Jose Mourinho.
“Atë vit kishte disa gjë ra që nuk shkonin mirë dhe pas eliminimit që pësuam nga Liverpooli në Champions League, më shkoi në mendje ideja për t’u larguar. Mendoj se ishte ai momenti që Moratti kontaktoi Mourinhon. Një ditë pas eliminimit në Champions shkova te presidenti dhe i thashë që isha gatshëm të vazhdoja punën por ai nuk ishte i bindur. Më pas fituam dhe presidenti më thirri në zyrën e tij për të komunikuar vendimin që kishte marrë. Gjithsesi unë dua ta falenderoj Massimon që më dha mundësinë për të drejtuar një skuadër të madhe si Interi”.
Me largimin e Mancinit në 2008-n në stolin e Interi u ul Jose Mourinho që në sezonin e tij të dytë arriti suksesin e trefishtë me zikaltërit. Italiani nuk e fsheh faktin që u ndie disi xheloz për atë që realizoi Special One por që gjithsesi nuk ngurron ta vlerësojë trajnerin portugez.
“Isha pak xheloz kur Mourinho fitoi tripletën mendoja se mund të isha unë ai që mund ta kisha realizuar dicka të tillë . Megjithatë duhet të shkonte kështu. Nuk e njoh mirë portugezin por ai është një trajner i madh. Jo më kot ka fituar kaq shumë në karrierën e tij”./supersport/