Mancini: Ndaj Romës luajmë për fitore

E publikuar: 18/03/2016 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Olimpico të Romës, këtë të Shtunë, Interi luan një pjesë të mirë të sezonit. Zikaltërit kanë si objektiv kryesor ta përfundojnë kampionatin në vendin e 3-të, por në rast të një rezultati negativ ndaj verdhekuqëve të Spalettit, skuadra e Roberto Mancinit do të kishte me të vërtetë shumë pak shanse për tu renditur në këtë pozicion, pasi aktualisht diferenca mes Romës dhe Interit në klasfikim është 5 pikë. Kryeqytetasit vinë në këtë ndeshje pas 8 fitoreve radhazi por pavarsisht ecurisë fantastike që ka patur Roma gjatë muajve të fundit, Roberto Mancini beson te Interi i tij, dhe është i bindur se zikaltërit i kanë të gjitha mundësitë për të fituar në Olimpico.

” Do të jetë një ndeshje në të cilën mund të ndodhë gjithcka. Roma është në formë, është një skuadër e fortë dhe nuk duhet të harrojmë as faktin që e filloi sezonin me objektivin për të fituar titullin. Në një kampionat të tillë si ky është e vështirë të thuash nëse një ndeshje e tillë mund të jetë vendimtare ose jo. Sigurisht që sfida e Olimpicos është delikate dhe e rëndësishme dhe mund tu japë një sinjal edhe skuadrave që ndjekin nga pas. Futbollistët e mi janë të përqëndruar dhe të qetë. Ne do të shkojmë në Romë për të fituar”.

Mancini më pas konfirmoi se Brozovic dhe Kondogbia janë mirë dhe janë të gatshëm për të luajtur. Ndërkohë që dha një mendim edhe për dyshen Perisic-Ljajic.

” Ljajic ishi i madh i kësaj sfide? Kam folur shumë për të gjatë kësaj periudhe dhe nuk kam cfarë të shtoj më. Të shohim sesi do të luajë si një ish. Unë kam besim te Adem dhe jam i bindur që do të bëjë një paraqitje të mirë. Perisic? Ivan kishte nevojë vetëm për kohë në mënyrë që të përshtatej sa më mirë. Në ndeshjet e fundit ka filluar të shfaqë një pjesë të mirë të potencialit të tij dhe unë mendoj se ai mund të përmirësohet akoma edhe më shumë”.

Në fund Mancini hodhi edhe njëherë tjetër poshtë zërat që e shikojnë atë si pasuesin e Antonio Contes në stolin e kombëtares italiane, ndërkohë që theksoi se edhe një humbje ndaj Romës nuk do të shuante përfundimisht shpresat e Interit në garën për vendin e tretë, pasi deri në fund të kampionatit ka ende edhe shumë ndeshje për tu luajtur./supersport/