Mancini: Lufta për vendin e tretë mbetet e hapur

E publikuar: 02/04/2016 11:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barazimi me Romën dhe më pas pushimet e detyruara nga miqësoret e KOmbëtareve. Interi kërkon të rikthehet bindës në fushën e lojës për të mos humbur shansin e garimit për një vend në zonën Champions. Rrugëtimi rinis nga “San Siro” ku zikaltërit presin Torinon dhe trajneri Roberto Mancini është optimist.

“Kemi ende edhe shumë ndeshje në dispozicion. Roma është 5 pikë larg por edhe ne kishim 5 pikë diferencë nga Fiorentina dhe tashmë kemi rikuperuar terren. Nuk kemi mundësi zgjedhjeje, duhet të fitojmë shumë ndeshje. Ndoshta pa pushimin do të ishte më mirë për ne por nuk është zgjedhje në dorën tonë. Këtë sezon kemi regjistruar 18 ndeshje pa humbje, por kemi pasur edhe disa probleme. Tashmë shikojmë përpara. Do të luajmë edhe 8 ndeshje dhe shpresoj të rikuperojmë sa më shumë pikë”.

Në vijim, trajneri zikaltër u shpreh se shpreson që Roma të humbasë pikë në derbi, ndërsa u përqëndrua edhe te çështjet e merkatos di dhe tek kundërshtari i radhës.

“Nuk e di nëse duhet të shesim lojtarë të rëndësishëm. Për të ndërtuar strategjitë duhet kohë. Ne jemi Interi dhe duhet të ndërtojmë një skuadër të mirë çdo vit. Torino? Është një skuadër e vështirë për t’u kaluar sepse ndaj tyre ke mundësinë të luash në nivele të larta. Skuadra e Venturës i vendos të gjithë në vështirësi”.

Në fund Mancini u pyet se kë do të zgjidhte mes Ibrahimovic e Toure, por ai preferoi të përgjigjej me diplomaci.

“Nuk besoj se Thohir do të më kërkojë të zgjedh njërin prej të dyve”.