Manchester City, Guardiola planifikon 8 goditje

E publikuar: 09/04/2016 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester City do të ristrukturoret pasi një pjesë e madhe e grupi aktual do t’i japë lamtumirën ekipit me mbërritjen e Pep Guardiolës, i cili ka hartuar një listë me emrat që dëshiron të ketë në dispozicion. Në fillim të Marsit trajneri u takua në Amsterdam me drejtuesit e klubit për të ndërtuar strategjinë e merkatos duke kërkuar menjëherë nisjen e punës për blerjen e Ilkay Gundogan. Mesfushori me origjinë turke ka një kontratë deri në vitin 2017 me Borussia Dortmund, por për Guardiolën është një emër që i kujton Xavin në kohët e Barcelonës.

Por nuk është vetëm ai në listën e gjatë ku figurojnë edhe 8 emra të tjerë. Sipas kanalit ESPN, Guardiola ka shënjestruar edhe Aymeric Laporte të Athletic Bilbaos, John Stones të Everton. Për francezin e baskëve është vendosur në radhë edhe Bayern Munchen duke parë problemet fizike të Badstuber e Javi Martinez. Një tjetër lojtar që kërkon trajneri katalanas është edhe gardiani i Barcelonës, Ter Stegen që nuk po kalon një moment të lumtur në “Camp Nou”. Dy reparte të tjera ku kërkon modifikime Guardiola janë edhe një mesfushor krahu dhe një emër në lartësinë e Kun Agueros. Mediat bëjnë me dije se në dispozicion të klubit janë 350 milionë Euro. Gjithsesi, aktualisht Guardiola mbetet i fokusuar te rrugëtimi me Bayernin e Mynihut për të fituar tre titujt sezonalë dhe Rummenigge nuk duket aspak i shqetësuar që ai ka nisur të mendojë edhe për City-n. “Në kohën e lirë mund të bëjë çfarë të dëshirojë”, theksoi drejtuesi i Bayernit disa kohë më parë.