“Unë jam kryeministri i parë i Kosovës, me të cilin priftërinjtë ortodoksë në Manastirin e Deçanit nuk pranojnë të takohen”.
Kjo ishte një nga deklaratat e fundit të kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ndaj së cilës ky manastir mesjetar i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) është përgjigjur duke thënë se Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani “janë zyrtarët e parë të Kosovës që publikisht shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës [për tokën e manastirit] dhe që e konsiderojnë atë si të paligjshëm”.
Përveç kësaj, nga ky manastir thonë se Kurti është i mirëpritur atje, por bashkë me “ekstraktin e kadastrës për pronën e manastirit”.
Çështja e kthimit të pronave të Manastirit të Deçanit është aktuale tash e gjashtë vjet, duke pasur parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe evropianë se vendimi, që është sjellë në favor të manastirit, duhet respektuar.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të formës së prerë dhe obliguese për të gjitha palët, por ligji nuk parasheh “dënim” për mosbindje ndaj vendimeve të kësaj instance më të lartë gjyqësore.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar. Më pas nga prokurori i shtetit është kërkuar që të veprojë në përputhje me Ligjin penal dhe Ligjin për procedurën penale të Kosovës.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të këtij viti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk janë specifikuar detajet.
Më 11 tetor, REL-i ka kontaktuar sërish të njëjtën prokurori për të pyetur se deri ku ka arritur hetimi dhe nëse është ndërmarrë ndonjë hap specifik, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Cili është kontesti?
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Thënë shkurt, për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a ka ndryshuar qëndrimi i saj lidhur me rastin e Manastirit të Deçanit, përkatësisht nëse kryeministri Albin Kurti do të tregojë “vullnet të mirë” dhe do ta mbështesë vendimin për kthimin e pronave të manastirit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Kurti, për herë të fundit për këtë temë, ka folur publikisht më 9 tetor, në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, kur ka përsëritur qëndrimin e tij të mëparshëm, por edhe ka shfaqur shpresën se çështja “mund të zgjidhet me dialog”.
Mirëpo, ai ka deklaruar se klerikët e Manastirit të Deçanit, në krye me abatin e atij manastiri, Sava Janjiq, refuzojnë të takohen me të.
“Paraardhësit e mi janë takuar [me Sava Janjiqin], por me mua nuk duan të takohen. Kam kërkuar takim, por më kanë refuzuar. Besoj që me dialog mund t’i zgjidhim problemet që kemi”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Kush e ka vizituar më parë Manastirin e Deçanit?
Avdullah Hoti, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, e ka vizituar Manastirin e Deçanit në gusht të vitit 2020, për të diskutuar me abatin Sava Janjiq për ndërtimin e kontestuar të rrugës kryesore Deçan – Plavë, e cila kalon nëpër zonën e veçantë të mbrojtur përreth manastirit.
Asokohe, Qeveria e Hotit ka kërkuar që të ndërpriten punimet me arsyetimin se duhet të respektohen ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, gjë që është bërë.
Më parë, në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe presidentja Atifete Jahjaga kanë vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, ka deklaruar se “duhet pasur shumë kujdes me precedentin që krijohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e Manastirit të Deçanit”.
“Mos harroni se Millosheviqi ka dhënë dhe ka marrë tokë në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, kjo është krejtësisht mbi baza diskriminuese. Madje, këtë e ka bërë gjatë viteve 1998-‘99, kur ishim në luftë, kur bëri gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, ky është problemi themelor i këtij vendimi”, ka thënë Osmani.