Manchester United bie sërish, këtë herë në Turqi përballë Fenerbahces që në stadiumin “Sukru Saracoglu” zhvilloi një ndeshje perfekte duke thyer “Djajtë e Kuq” 2-1 me gola të Mousa Sow dhe Jermaine Lens. Vendasit e nisën ndeshjen menjëherë në sulm dhe e gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 2 kur sulmuesi afrikan zhbllokoi sfidën duke shtangur ekipin e Jose Mourinhos. Dukshëm të nervizuar, anglezët nuk arritën të krijonin raste të rrezikshme, madje në minutën e 30, Pogba la fushën e lojës për shkak të një dëmtimi. Edhe me aktivizimin e Ibrahimovic, skuadra angleze nuk arriti ta evitonte humbjen pasi sulmuesi Jermaine Lens vulosi fitoren e skuadrës turke pavarësisht shkurtimit të diferencave me Rooney. Fenerbahce ngjitet në vendin e dytë të Grupit A me 7 pikë, po aq sa Feynoordi që barazoi 1-1 në fushën e Zoryas. Holandezët me 10 lojtarë për një pjesë loje, arritën të merrnin një pikë nga transferta ukrainase. Manchester United zbret në vendin e tretë me 1 pikë më pak dhe rrezikon seriozisht vazhdimësinë në Europa League.
Në Grupin F, Athletic Bilbao kaloi 5-3 Genkun. Për baskët ishte Aduriz që e preku rrjetën 5 herë, në tre prej rasteve me 11 metërsh, ndërsa belgët replikuan përkohësisht me Bailey Ndidi dhe Susic. Pas këtij suksesi, Bilbao ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit me 6 pikë, po aq sa Genk, ndërsa Sassuolo zbret në fund. Italianët u befasuan 2-2 nga Rapidi i Vjenës edhe pse kaluan në avantazh me golat e Defrel dhe mesfushorit Pellegrini.
Në Vjenë, Austria u dorëzua përballë Romës që triumfoi me rezultatin e thellë 4-2. Italianët e pësuan golin që në minutat e para por arritën të kthenin ndeshjen në favorin e tyre me Dzekon e De Rossin. Do golat e tjerë u sigluan në pjesën e dytë me Dzekon dhe Nainggolan. Vendasit realizuan edhe rrjetën e dytë në minutat e fundit të takimit.
Në Rumani, Viktoria Plzen me Ergys Kaçen titullar, barazoi 1-1 ndaj Astra Giurgiu. Pas golit të Stan në minutën e 19, Michael Krmencik barazoi shifrat në të 25-ën. Roma kryeson me 8 pikë, ndërsa skuadra çeke mbyl grupin me 3.
Grupin B, Anderlecht shkatërroi Mainzin 6-1. Stanciu me dy gola të shpejtë dhe më pas Teodorczyk me dy gola, Tielmans e Bruno zhvlerësuan golin e De Blasis. Belgët udhëheqin grupin me 8 pikë, po aq sa Saint Ettiene që triumfoi në fushën e Qabalas 2-1. Në grupin D, Zenit kaloi 2-1 Dundalk, ndërsa Maccabi Tel Aviv dhe AZ Alkmarr u ndanë në paqe pa gola./supersport.al/



















