Mamdani ndalon bashkëpunimin e policisë njujorkeze me agjentët federalë të Trumpit

E publikuar: 09/01/2026 22:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

New York dhe Shtëpia e Bardhë në konflikt të hapur – Mamdani ndalon policinë të ndihmojë agjentët e Trumpit.

Kryetar i qytetit të New Yorkut, Zohran Mamdani, ka riafirmuar vendimin se administrata e tij – përfshirë edhe Policinë e New Yorkut (NYPD) – nuk do të bashkëpunojë me agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Ky vendim erdhi pas një incidenti javën e kaluar në Minneapolis, ku një agjent i ICE-s qëlloi për vdekje një grua me armë zjarri, që Mamdani e quajti “të tmerrshëm” dhe si vazhdim i shtypjes së komuniteteve të imigrantëve në SHBA, raportojnë mediat.

Mamdani tha se ka vendosur që policët dhe zyrtarët e qytetit nuk do të ndihmojnë agjentët federalë në zbatimin e politikave të ICE-s, duke konfirmuar se New Yorku do të mbetet një “qytet-strehë” (sanctuary city) që mbështet komunitetet e imigrantëve në të pesë rajonet e tij, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Nga ana tjetër, Sekretarja e Sigurisë së Brendshme të SHBA-s, Kristi Noem, kritikoi ashpër politikat e Mamdanit, duke thënë se ato mbrojnë “kriminelë” dhe lavdëroi operacionet e ICE-s në qytet, duke njoftuar se në kuadër të një operacioni janë arrestuar 54 persona, përfshirë anëtarë të bandave që lidhen me trafik armësh, trafikim njerëzish dhe drogë.

Ky tension mes autoriteteve lokale dhe Qeverisë Federale po përshkallëzohet, ndërsa debati mbi mënyrën e zbatimit të ligjit të imigracionit vazhdon, me shqetësime se tensionet mund të rriten edhe më tej në ditët në vijim.