Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku ka reaguar ndaj atyre që janë kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka thënë se kjo gjykatë do të themelohet, i pëlqeu apo jo dikujt. Madje, ajo ka dalë në mbrojtje të shefit të saj, Isa Mustafës, duke thënë se ai dhe as LDK nuk po e pnegojnë themelimin e saj.
Lexojeni të plotë reagimin e saj:
Kuvendi i Kosovës do ta themelojë Gjykatën Speciale. I pëlqeu dikujt, apo jo! Ata që janë kundër saj, i frikësohen drejtësisë.
Kundërshtimi, gjoja në mbrojtje të vlerave te luftës së UÇK-së është naivitet! Luftën e popullit për liri nuk mund ta njollosë askush. As vetë ata që kanë qenë pjesë e saj. Përpjekjet për t’i ikur drejtësisë, duke e shkelur me të dy këmbët kauzën e luftës për shtet të lirë e demokratik, ku sundon ligji, janë asgjë tjetër veç padrejtësi ndaj popullit të Kosovës dhe ndaj të gjithë atyre ushtarëve të UÇK-së që morën pushkën në krah për ta luftuar padrejtësinë. Ne, nuk kemi krijuar kushte për një sistem të pavarur gjyqësor. Shumëkush i ka ikur drejtësisë. Shumëkush, vullnetshëm është bërë pjesë e padrejtësisë. 16 vjet pas përfundimit të luftës, ka ardhur koha që t’ia japim edhe një shans daljes në shesh të shumë të vërtetave të hidhura. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, e them me përgjegjësi se askush nga deputetët nuk po shantazhohet për të votuar pro Gjykatës Speciale. Përkundrazi! Në Kuvend po flitet se deputetë të caktuar po shantazhohen për t’i detyruar që të votojnë kundër saj.
Edhe diçka! Themelimi i Gjykatës Speciale nuk shkel sovranitetin e Kosovës. Neni 20 / paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh bartjen e sovranitetit në rast të ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare, siç është rasti i marrëveshjes së 14 prillit te 2014. Ndërsa, Neni 103/paragrafi 7 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh në rast nevoje krijimin e Gjykatave të Specializuara.
Këto dy nene, hedhin poshtë pretendimet e grupeve te caktuara të interesit se themelimi i Dhomave të Posaçme shkel sovranitetin dhe Kushtetutën.
E fundit. Kryeministri Isa Mustafa nuk po e prolongon krijimin e Gjykatës Speciale. As Lidhja Demokratike e Kosovës. Ne jemi unikë në votën pro Gjykatës Speciale. Themelimin e saj, po e shtyjnë ata që janë shkaktarët e vërtetë të dështimit të sistemit tonë të drejtësisë.