Mallkimi im për Serbinë: i paç në krye politikanët që i patëm ne për 20 vjet!

E publikuar: 21/02/2020 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Sali Bytyçi

Dënimi im për Serbinë: 20 vjet të udhëhiqet nga politikanët që e kanë udhëhequr Kosovën që 20 vjet!

Pasi në shoqëritë liberale si kjo jona ata në pushtet bëjnë çfarë t’iu teket, edhe ata që janë jashtë pushtetit thonë çfarë t’iu bjerë ndër mend. Njëri prej tyre jam unë.

Këto ditë përsiata për krimet që i ka bërë Serbia në Kroaci, në Bosnje dhe sidomos në Kosovë. Pas çdo krimi vjen edhe dënimi dhe unë e mendova një dënim për Serbinë. Dhe, sipas mendimi tuaj, cili do të ishte mendimi juaj për dënimin që do t’ia jepja Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë? Mendoni që do ta dënoja Serbinë me para apo se do të caktoja sa njerëz do të duhej vrarë në Serbi si hakmarrje?!

As njërën dhe as tjetrën.

Po të ishte në dorën time t’ia caktoja Serbisë dënimin për krimet që i ka bërë në Kosovë, ja cili do të ishte ai.

Si dënim, do t’ia caktoja 20 vjet Serbisë të udhëhiqej nga udhëheqësit tanë politikë të cilët e kanë udhëhequr Kosovën që 20 vjet. Kaq. As më shumë e as më pak.

Dhe jo ta udhëhiqnin më keq se Republikën e Kosovës, po në të njëjtën mënyrë si e kanë udhëhequr për 20 vjet këtë republikë. T’i rritnin pagat për vete ashtu siç i kanë rritur; t’i punësojnë bashkëpartiakët, t’i punësojnë fqinjët, ilakatë me radhë e pa radhë, baxhanakeshat e veta dhe të vëllezërve të vet, çikat e dajave dhe të tezeve, dashnoret dhe burrat e dashnoreve; ta privatizojnë pronën publike të Serbisë ashtu siç e kanë privatizuar pronën publike të Kosovës; paratë e ndërmarrjeve publike t’ua dhuronin portaleve; t’i rrënonin malet e ta shtronin krejt Serbinë në asfalt; ta shkatërronin hekurudhën, po administratën e saj ta mbushnin plot zyrtarë; çdo investitori të huaj t’i kërkonin hise në investimin që do të bënte në Serbi; haraçin gjysmëlegal të mos e ndërprisnin fare; të “vonoheshin” në shlyerjen e detyrimeve të punëmarrësve dhe si dënim të pagunin miliona euro; t’ia falnin borxhin publik cilës kompani që të duan; terminalet doganore t’i shpërndanin miqësisht etj. etj.

Pas njëzet vjetësh sundim të këtyre politikanëve tanë të këtyre 20 vjetëve, popullsia e Serbisë do të përgjysmohej, po edhe në këtë gjysmë tri të katërtat do të ishin pleq e plaka; në këtë gjendje Serbisë jo vetëm që nuk do t’i binte ndër mend për Kosovën, po nga lufta për ekzistencë nuk do t’i binte ndër mend as për veten e saj.