Majlinda Kelmendi të enjten do të garojë në Kampionatin Evropian të xhudos për vitin 2017 që mbahet në Varshavë të Polonisë.
Duhet të ndodhë gati një mrekulli që Majlinda Kelmendi të mos mbrojë titullin e Evropës në xhudo në kategorinë deri 52 kilogramë. Kështu ka shkruar sajti i Federatës Evropiane të Xhudos (EJU).
Majlinda të enjten do të garojë në kampionatin evropian të xhudos për vitin 2017 që mbahet në Varshavë të Polonisë. Është favorite absolute për të fituar të artën.
Ajo ka dy tituj të Evropës, në vitet 2016 e 2014, ndërsa në vitin 2013 fitoi medalje të bronztë, shkruan sot Koha Ditore.
Në kategorinë deri 52 kilogramë do të garojnë 29 xhudiste, ndërsa me të gjitha Majlinda ka bilanc pozitiv.
“Duhet të ndodhë thuajse një mrekulli që Majlinda Kelmendi mos të mbrojë titullin. Një është e sigurt, nuk ka asnjë rivale që e njeh Kelmendin më mirë se partnerja e saj e stërvitjes, Distria Krasniqi, që është bartëse e tretë. Andreea Chitu e Rumanisë është një kandidate tjetër, njëjtë si Odette Giuffrida e Italisë”, ka shkruar sajti i EJU-së në prezantimin e kategorisë deri 52 kg.

















