Majlinda Kelmendi, kampionia e Europës dhe Botës, nuk do të garojë në edicionin e parë të Lojërave Evropiane që mbahen në Baku të Azerbajxhanit.
Gjasat e Kosovës që të fitojë medalje të artë në Lojëra Evropiane janë zbehur shumë. Të hënën është mësuar se sportistja bindshëm më e mirë në vend, Majlinda Kelmendi, nuk do të garojë në edicionin e parë të Lojërave Evropiane që mbahen në Baku të Azerbajxhanit.
Xhudistja 24-vjeçare në fillim të vitit kishte pësuar një lëndim të ligamenteve të gjurit të majtë dhe në fund të janarit iu nënshtrua një operimi. Rehabilitimi i saj ka shkuar mirë, por Kelmendi nuk do të jetë plotësisht e gatshme për muajin e ardhshëm kur mbahen Lojërat Evropiane.
Lojërat Evropiane nisin më 12 qershor e përfundojnë më 28 qershor. Kelmendi është pritur të jetë bartëse e flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse, ndërsa ishte shpresa më e madhe për sukses në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një ngjarje të madhe shumë sportëshe.
“Sot kam njoftuar zyrtarisht përmes një e-maili Federatën Evropiane të Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës se kampionia e botës dhe e Evropës, Majlinda Kelmendi, nuk do të marrë pjesë në Lojëra Evropiane. Pra, pjesëmarrja e saj është anuluar, ndonëse Majlinda kishte normë të fituar për këtë ngjarje”, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit.