Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka treguar edhe më shumë detaje për planin që e ka për Samitin Bashkimi Evropian- Ballkani Perëndimor.
“Në muajin mars e kemi të planifikuar në veçanti Samitin për çështjen e Ballkanit për shkak të situatës gjeostrategjike që në ditët e javët në vijim do të na udhëheq drejt veprimi të përbashkët sidomos për sigurinë evropiane” tha Macron të premten në Paris.
Nga kryeqyteti francez ku e priti kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Macron foli edhe për plane tjera që i ka shteti i tij për gjashtë muaj sa mban presidencën e BE-së.
Në konferencën e përbashkët, dyshja e politikanëve franko-gjerman u deklaruan edhe për çështje tjera vitale për Unionin që ka 27 vende anëtare.
Nuk u përmend mundësia e liberalizimit të vizave për Kosovën, por gjithsesi përforcimi i zonës ku vlen lëvizja e lirë pa viza.
“Një çështje tjetër e rëndësishme është menaxhimi i kufijve të Evropës dhe forcimi i Zonës sonë Shengen për lëvizjen e lirë. Një numër i krizave e kanë dobësuar këtë zonë e cila është në zemër të projektit tonë. Kjo është arsyeja që ne duam ta riparojmë e forcojmë hapjen e kufijve të brendshëm të Bashkimit Evropian” tha mes tjerash presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.


















