LVV: Ministri i pushtetit lokal zbaton planet e Serbisë në Mitrovicë

E publikuar: 11/02/2016 17:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëvendosje shpreh bindjen se janë shtuar hapat e Listës Serbe për ndarjen e Mitrovicës në favor të interesave të Beogradit. Por kjo parti thotë se problemi është se tani këto hapa po vinë nga Ministri i Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq që formalisht është i Kosovës por që praktikisht në mënyrë publike është në shërbim të Beogradit.

“Pas kërcënimeve e pretendimeve për t’ia marrë nga administrimi një zonë si Suhodolli Mitrovicës me qëllim kalimin e saj tek Komuna që drejtohet nga Lista Serbe, tani vjen refuzimi për të pranuar shkresa e vendime me emërtesat ‘Komuna e Mitrovicës’ nga Ljubomir Mariq. Për më shumë ai kërkon që nga Kuvendi Komunal ta ndërrojë statutin dhe ta legjitimojë emërtimin si Mitrovicë e Jugut ose Jugore”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Lidhur me këtë çështje Aida Dërguti nënkryetare e Kuvendit dhe Faruk Mujka koordinator i Lëvizjes dhe asambleist në Mitrovicë paraqitën sot kundërshtimin e Vetëvendosjes sa i takon këtyre nismave të Listës Serbe.

“Ky është edhe një hap në procesin e ndarjes së Mitrovicës dhe Kosovës. Kërkesa e Kryetarit të pjesës veriore, Mirko Rakiq për rikonfigurimin e vijës kufitare ndërkomunale Mitrovicë veri dhe jug dhe ashtu është emërtimi që asocion në ndarje e që tregon se ngadalë po e formalizohet ndarja jo vetëm në dy komuna por edhe ndarja në dy rregullime shtetërore”, citohet të ketë thënë Faruk Mujka, transmeton Koha.net. “Ne jemi zgjedhur si asambleistë të Komunës së Mitrovicës ndaj jemi kategorikisht kundër ndryshimit dhe nuk do ta pranojmë assesi emërtimin e ri i cili po kërkohet nga ministri i Listës Serbe i cili me këtë veprim po na tregon se cilat janë veprimet e ‘Zajednicës’”, ka shtuar më tej ai.

Aida Dërguti theksoi se politikëbërja e duhur dhe e mirë ka në thelb elementin e parashikimit për vendimet dhe pasojat që rrjedhin prej tyre në afatgjatë.
“Në këtë kontekst, mund të themi që Lëvizja Vetëvendosje i ka parashikuar dëmet e Pakos së Ahtisaarit që kur po negociohej në Vjenë”, tha Dërguti.

Ajo shtoi se Serbia e cila nuk e ka njohur as Planin e Ahtisaarit, por e përdor atë t’i arritur qëllimet e veta politike.
“Serbia e ka shfrytëzuar Pakon e Ahtisarit si mekanizmin e shumicës së dyfishtë për ta ndarë Kosovën etnikisht dhe për ta bllokuar formimin e ushtrisë. Ajo s’i ka pranuar as komunat që u formuan nga ky Plan, por janë pikërisht këto komuna që sot po kërkon t’i centralizojë në Zajednicë“, shtoi ajo.

Komunikate e Vetëvendosjes thotë se kërkesa për ta ndryshuar emrin e Komunës së Mitrovicës në Komuna e Mitrovicës së Jugut vjen pikërisht nga Lista Serbe dhe Beogradi.
“Ata duan ta përfundojnë edhe zyrtarisht ndarjen e qytetit për të vazhduar pastaj me krijimin e ‘Zajednicës’. Ironia e gjithë kësaj pune qëndron pikërisht tek ata që po insistojnë në ndërrimin e emrit si obligim që vjen nga Plani i Ahtisaarit. Pikërisht Lista Serbe që nuk e njeh këtë Plan e as shtetin e Kosovës. Për ne, kjo është e papranueshme dhe do të kundërshtohet”, përmbyllet kjo komunikatë.