LVV kritikohet që fushatën po e hap një ditë para hapjes zyrtare

E publikuar: 12/09/2025 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

????????????????????????????????????

Më 13 shtator do të nis fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që hapjen e fushatës elektorale ta bëjë sot në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ky veprim i LVV u kritikua nga njohës të proceseve zgjedhore. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nuk ka qenë praktikë deri më tani që tubimet hapëse të mbahen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të mbikëqyret nga KQZ-ja dhe PZAP-ja nuk mund të shqiptojnë gjoba për shkeljet eventuale.

“Nuk ka qenë praktikë deri më tani që tubimet hapëse të mbahen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Këtë vit, një tubim i tillë po u zhvilluaka nga Lëvizja Vetëvendosje. Më shumë sesa për ndonjë risi organizative, kjo lidhet me faktin se periudha e para-fushatës është e parregulluar ligjërisht – si në aspektin e gjuhës së përdorur, ashtu edhe të shpenzimeve apo të kufizimeve të tjera. Fushata zyrtare nis nesër, më 13 shtator, dhe deri atëherë çdo aktivitet politik zhvillohet jashtë çdo përgjegjësie ligjore. Kjo do të thotë se, për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”, ka shkruar në Facebook Cakolli.