LVV-ja inicion mocion për rrëzimin e ‘Qeverisë Hoti’, nis mbledhjen e nënshkrimeve​

E publikuar: 06/08/2020 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Nënkryetarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, në një konferencë për medie ka numëruar siç ka thënë ajo dështimet e kësaj Qeveri.

Ajo ka dhënë arsyet se pse Qeveria Hoti duhet që të rrëzohet.

“Kjo qeveri është jokushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin. Kosovës i duhet një Qeveri që dëshmoi se mund të qeveriset me duar të pastra”, tha Nagavci.

Shefi i Grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, ka prezantuar mocioni duke thënë se ai mund të ndryshojë në bashkëpunim me deputetët dhe grupet parlamentare në Kuvend.

“Nga sot Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”, ka thënë Selimi.

Përderisa sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili thotë se do ta rrëzonin qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Mirëpo Ismaili ka thënë se Vetëvendosje ka vetëm fjalë e jo vepra.

Gjatë së mërkurës kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur kritikave të kreut të AAK-së dhe partnerit të koalicionit, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit, dha shenja se koalicioni mund të prishet nëse nuk koordinohen për negociatat finale me Serbinë, raporton EO.

Mustafa tha se shumë shpejt do ta takoj kreun e AAK-së, për t’i diskutuar përçarjet që janë shfaqur ditëve të fundit në media, nga partnerët e koalicionit.

Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe partneri tjetër i koalicionit qeverisë Nisma për Kosovën është e pakënaqur me mënyrën se si kryeministri Avdullah Hoti po i udhëheqë bisedimet finale me Serbinë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi tha se nuk janë të kënaqur me punën e kryeministri Hoti sa i përket dialogut.