Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë partinë e tij po mundohen ta dobësojnë struktura ish-LDKiste dhe njerëz që e kanë besuar Demaçin, transmeton Mediafokus.info.
Përmes një reagim në faqen e tij në Facebook, Haziri ka thënë se kundërshatët nuk do t’ia arrijnë ta rrënojnë LDK’në.
“Fatkeqësisht, në këtë rresht kanë hyrë edhe struktura ish LDK-iste, duke e ndihmuar që përmes njerëzve që besojnë Demaçin dhe politika e njerëzve që Demaçit ka lënë trashëgimi, dëshirojnë të ndodhë rrënimi i LDK’së, por kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë”, ka shkruar, ndër të tjera, Lutfi Haziri.
Postimi i plotë:
Meqë jemi në prag të fillimit të fushatës zyrtare elektorale, është e kuptueshme që të nxehet pak ambienti politik, por shpresoj që nuk do të eskalojë në fushatë denigruese e poshtëruese mes nesh.
Si LDK, jemi mësuar me goditje të ulëta sepse është Rugovizmi ai i cili u pengon kundërshtarëve politikë, është familja politike e Ibrahim Rugovës e cila i është bërë therë në sy për të gjitha subjektet politike. Ata e kanë synim dobësimin e LDK’së.
Fatkeqësisht, në këtë rresht kanë hyrë edhe struktura ish LDK-iste, duke e ndihmuar që përmes njerëzve që besojnë Demaçin dhe politika e njerëzve që Demaçit ka lënë trashëgimi, dëshirojnë të ndodhë rrënimi i LDK’së, por kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë.
Ashtu siç ne besojmë në Rugovën, ata besojnë në Demaçin. E duam Bacin për rezistencën e tij, mirëpo nuk kanë të drejtë të na luftojnë në emër të tij, por në emër të të majtës së tyre, të kuqes së tyre.
Ne jemi vet Republika. E duam dhe e ndërtojmë çdo ditë. LDK është e madhe!