Isa Mustafa po luan një lojë, e cila përfundimin do ta ketë si në vitin 2014; LDK do të bashkohet me PDK’në. Kjo ishte deklarata e Agim Bahtirit sot, të cilën, për Gazetën Express, Lutfi Haziri e komentoi, duke ia bërë të qarta disa qëndrime partnerit të tyre parazgjedhor.
Që pas seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, ujërat në kampin e LAA janë turbulluar. Fillimisht pati një debat të ashpër mes Lidhjes Demokratike e Vetëvendosjes, që pasuan më tej me deklarata nga Aleanca Kosova e Re, përkatësisht kryesia e saj, sipas të cilës, LDK e VV nuk po përpiqen të arrijnë ndonjë marrëveshje.
Fillimisht, Lidhja Demokratike pati një debat të ashpër me Vetëvendosjen, e më tej pasuan deklaratat nga Aleanca Kosova e Re, përkatësisht nga kryesia e saj, sipas të cilës, LDK e VV nuk po përpiqen të arrijnë ndonjë marrëveshje.
Krejt çka AKR deklaroi tash e disa ditë është zhbllokimi i institucioneve duke mos përmendur opsionet.
Gazeta Express raportoi për një takim mes kreut të AKR’së, Behgjet Pacolli me liderët e PAN’it, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli. Këtë Pacolli e mohoi nëpërmjet profilit të tij në Facebook, por pasuan deklaratat e tij shqetësuese lidhur me partnerin e tij parazgjedhor LDK’në, që sipas Pacollit, së bashku me Vetevendosjen, po i shikojnë interesat e tyre partiakë pa bërë përpjekje për t’u marrë vesh në të mirë të vendit.
Menjeherë pas kësaj, numri dy i AKR’së, Agim Bahtiri, në një prononcim për Indeksonline tha sot se LDK, përkatësisht kreu i saj, Isa Mustafa, po luan një lojë, të njëjtë me atë të vitit 2014, ku në fund do t’i bashkangjitet PDK’së.
E nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, për Gazetën Express, tha se diçka e tillë është e pamundur. Ai, edhe një herë, përmendi rrëzimin e qeverisë, si urën e fundit të bashkëpunimit, që vet PDK’ja ua rrëzoi.
“PDK e ka shkaktu këtë situatë të re më 11 maj dhe ne iu kemi tregu hapur që rrënojnë çdo mundësi bashkëpunimi. Ata janë iniciuesit e mocionit kundër Qeverisë. Për ata që rezultati i 11 qershorit u ba tregues për gjendjen e koalicionit të PDK’së nuk duhet të befasohen se kanë qenë votuesit e përbashkët me PDK’në dhe kanë ndërtu koalicione me ta”, tha Haziri për Express.
Ndërsa, ai shprehet i bindur se edhe përkundër deklaratës që sot dha, Agim Bahtiri e di qëndrimin e LDK’së, që Haziri e quan të palëkundur.
“Agimi e di mirë se LDK nuk lëviz nga pozicion politik. Shumë mirë e di që në këto primesa ne kemi ndërtu bashkë koalicionin LAA dhe ne nuk lejojmë dhe nuk ndërtojmë koalicion me PAN”, shprehet nënkryetari i LDK’së.
Haziri thotë se pa LDK’në mund të krijojnë çfarëdo koalicionit, por ky, sipas nënkryetarit të LDK’së do të ishte një vendim vetëvrasës për to.
I pyetur nëse ka distancim mes partive të LAA’së marrë parasysh deklaratat e fundit, Haziri tha se ‘mbi të gjitha ne po e ruajmë koalicionin LAA’. /Gazeta Express/
















