Lushtaku mohon se është i përfshirë në “skandalin 2 milionësh”, kërkon dorëheqjen e ministres Bajrami

E publikuar: 23/10/2020 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka mbajtur sonte një konferencë për media, ku ka folur për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, duke e quajtur krimin më të madh të organizuar ndërinstitucional.

Me këtë rast, Lushtaku ka thënë se kryeministri Hoti, në këtë rast edhe Ministrja Hykmete Bajrami po mundohen që t’i ikin përgjegjësisë së tyre politike e ligjore me improvizime dhe konferenca për shtyp.

“Kryeministri Hoti, në këtë rast edhe Ministrja Hykmete Bajrami po mundohen që t’i ikin përgjegjësisë së tyre politike e ligjore me improvizime dhe konferenca për shtyp. Skandali ia avullimit të 2 milionëshit është krim i organizuar brenda Ministrisë së Financave, pra në kuletën e shtetit. Nga informacionet e fundit që po dalin më media, dhe çdo ditë e më tepër, po bindemi se dorëheqja e ministres është akt i domosdoshëm. Kjo ministre duhet të marrë përgjegjësi politike për këtë dështim të madh. Kështu do t’i hapte rrugë hetimeve të pavarura pa ndërhyrje politike”, tha ai.

Më tutje, ai ka shtuar se asnjë i dyshuar deri tani, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në PDK, siç janë munduar ta paraqesin këtë lajm.

“Ne e shohim qartazi një tendence nga Qeveria Hoti që në këtë skandal të përfshijë edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Asnjë i dyshuar deri tani, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në PDK. Sot nga një portal është përmendur emri i një ortaku tim, gjoja të përfshirë në këtë skandal por me përgjegjësi të morale e politike kjo është një gënjeshtër. Nëse medium nuk do të tërhiqet nga lajmi i pavërtetë, atëherë do të dorëzoj padi ditën e nesërme për këtë lajm”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të hetojnë, arrestojnë dhe dënojnë çdo individ që gisht në vjedhjen e mbi 2 milionë euro nga thesari

Ndërsa kërkon nga Qeveria Hoti përgjegjësi dhe llogari.

“Kjo qeveri është treguar është paaftë, jo kompetentë dhe e rrezikshme për pasurinë publike. PDK kërkon nga qeveria Hoti që mos të ndërhyj në hetime dhe të qëndroj larg institucioneve të pavarura. Ajo nuk mund të fshihet nga përgjegjësia e saj dhe korrupsioni ku është futur duke i shuar departamentet anti korrupsion në polici, dhe shkarkuar drejtorin e policisë, ATK-së dhe Doganave”, përfundoi ai.