Lushtaku dhe PDK-ja duket se janë dorëzuar para familjes Jashari

E publikuar: 21/08/2017 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari aktual i Skenderajt, Sami Lushtaku, duket se është dorëzuar përballë familjes Jashari.

Vetë Lushtaku dhe Partia Demokratike e Kosovës, pritet të tërhiqen nga gara për të parin e komunës, pasi në këtë garë është futur djali i heroit Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, raporton KTV.

Në komunë kanë thënë se nuk kanë asgjë për të deklaruar dhe se për çdo vendim dhe qëndrim zyrtar të degës së PDK-së në Skenderaj, do të njoftohet me kohë.

Në anën tjetër, Bekim Jashari, pritet t’i hyjë garës si kandidat i pavarur, iniciativë kjo që po përkrahet edhe nga zyrtarë të tjerë të PDK-së, si Bekim Haxhiu e Nuredin Lushtaku, i cili ka deklaruar në vazhdimësi se nuk do ta përkrahë Sami Lushtakun edhe për një mandat në krye të Skenderajt.

As Nuredin Lushtaku e as Sami Lushtaku, nuk kanë qenë të gatshëm të flasin rreth luftës që po bëhet brenda PDK-së për postin e kryetarit të komunës.

Ndërkaq, mijëra qytetarë të komunës së Skenderajt, kanë nënshkruar peticionin për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Jasharit për kryetar.

Përkrahja për Bekim Jasharin, sipas qytetarëve, është e padiskutueshme.

Kohavisioni gjatë tërë ditës ka provuar të marrë një përgjigje nga Bekim Jashari, po i njëjti nuk ka qenë i gatshëm të flasë rreth kandidimit të tij për kryetar komune.

Partitë politike kanë edhe një ditë afat për dorëzimin e listave me emrat për kryetarë të komunave dhe kandidatët për asamble komunale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.