Lunacek ia tregon vendin ambasadorit serb në BE kur flet për Kosovën

E publikuar: 15/01/2016 23:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një draft-raport për Kosovën i dërguar në Komitetin për Politikë të Jashtme të BE-së nga ana e raportueses për Kosovën, Ulrike Lunacek e ka alarmuar Serbinë, raporton Interaktiv në KTV.

Ambasadori i saj në BE, Dusko Lopandiq, ia ka shkruar një letër të gjatë Lunacekut, ku i ankohet për ato që ajo ka shkruar në raport.

Në letrën e siguruar nga KTV-ja, Lopandiq ankohet për raport të njëanshëm nga Lunacek.

Aty ai thotë se Parlamenti Evropian duhet t’ia tërheqë vërejtjen Prishtinës për pezullimin e Asociacionit të dakorduar në Bruksel, për shkak të dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjithashtu u befasova kur e pashë se në draft-rezolutë nuk pati asnjë paragraf për mbrojtjen e të drejtave të popullatës serbe në Kosovë, dhe nuk pati kërkesë nga autoritetet e Kosovës që të mundësojnë kthimin e më shumë se 200.000 serbëve të zhvendosur në vetë Serbinë”, shkruante mes tjerash ambasadori Lopandiq.

Ai e kritikoi edhe formulimin se Serbia në mënyrë destrkutive e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke thënë se ajo e ka kundërshtuar si pasojë e faktit që shumica e bashkësisë ndërkombëtare nuk e njeh Kosovën si shtet.

Lopandiq përmend edhe kishat e dëmtuara në vitin 2004, për të cilat thotë se nuk janë riparuar dhe gjithashtu e ka përmendur kritikën që Lunacek ka bërë për vizitën e gjeneralit serb Dikoviq në Kosovë duke thënë se ai nuk është i akuzuar.

Në përgjigjen e saj, Lunacek i thotë ambasadorit serb se as Serbia nuk i ka zbatuar plotësisht marrëveshjet.
“Sa i përket aplikimit në UNESCO, shumica e bashkësisë ndërkombëtare dhe anëtarëve të OKB-së tashmë e kanë njohur Kosovën. Anëtarësimi në UNESCO do të siguronte që Kosova të bëhej pjesë e kornizës për mbrojtjen e trashëgimisë, për promovimin dhe mbajtjen e standardeve të UNESCO-s, duke i përfshirë edhe pjesët e trashëgimisë serbe në Kosovë. Mënyra se si Serbia ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, me ministrin e jashtëm Daçiq që e ka thënë sipas raporteve mediase se do të ishte njëjtë sikur të pranohej ISIS-i, është në kundërshtim të plotë dhe frymën e fqinjësisë së mirë që dialogu ndërmjet dy shteteve promovon”, ka shkruar Lunacek.

Ajo ka thënë se ka parë nga afër rindërtimin e shumë manastireve të dëmtuara në vitin 2004 dhe dërgimin para drejtësisë të shumë pjesëmarrësve në trazira.
Ndërkohë, sa i përket vizitës së Dikoviq ajo ka thënë se ajo është dashur të koordinohej me Shefin e Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë, gjë që nuk ka ndodhur.

Gjatë janarit do të ketë diskutime të reja për Rezolutën para dërgimit në Parlamentin Evropian për miratim. Ky organ i BE-së është i vetmi që e njeh pavarësinë e Kosovës.