Ka filluar shënimi i javës së viktimave të krimit në Kosovë. Në konferencën hyrëse për nder të kësaj jave, po marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfshirë presidentin Hashim Thaçi e kryeprokurorin Aleksander Lumezi, ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha dhe ambasadori Amerikan Greg Delawie.
Në fjalimin e tij kryeprokurori Lumezi ka thënë se me rastin e kësaj ngjarje shpreh përkushtimin në misionin për ndërtimin e shtetit ligjor.
“Pavarësisht nga simbolika drejtësia dhe rimëkëmbja e viktimave dhe e krimit nuk është veprimtari përkujtimore, por është obligim i shtetit. Të drejtat e viktimave të krimit janë të mbrojtura me anë të Kushtetutës”.
“Krimi i cili nuk ndëshkohet përsëritet. Institucionet e drejtësisë duhet të udhëhiqen nga njerëz me integritet moral”.
“Ju duhet kohë për të peshuar të drejtën por kjo është kohë e shkurtër për viktimat e krimit. Vendosja e drejtë dhe e shpejtë e parandalon krimin, ndërsa vendosja e ngadalshme e nxit shkaktimin e krimeve”, ka përfunduar Lumezi.
Sipas Lumezit, prokurorët e gjyqtarët janë të ngarkuar me shumë lëndë, por patjetër duhet të trajtohen rastet kur ka viktima të krimit, njofton Klan Kosova.