Lul Raka: Perdja e zgjedhjes së Rektorit ra

E publikuar: 05/03/2016 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe në raundin e tretë, kandidatet Lul Raka dhe Naser Sahiti, nuk i kanë arritur votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor në Universitetin e Prishtinës.  Ata kanë marrë baras vota, nga 4 secili.  Anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nuk kanë mundur ta zgjedhin rektorin e ri, prandaj do të rihapet konkursi i ri.

Lidhur me këtë, ka reaguar Lul Raka, i cili tha se perdja e zgjedhjes së Rektorit të UP-së ka dështuar, shkruan “Zeri.info”

“Vetë aplikimi për këtë post ishte një moment shumë i rëndë për mua. Më lehtë e kisha pasur në Afrikë me virusin në formë shpagete apo kur i bëja detyrat mjekësore në Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Postimi i plotë:

PËR REKTORIN

Të nderuar studentë, profesorë, miq e dashamirë

Ju falënderoj nga zemra që më përkrahët gjatë ditëve të kaluara.

Perdja e zgjedhjes së Rektorit ra. Zgjedhja dështoi. Kjo dramë mund të ketë edhe akte të tjera, por për mua përfundoi.

Vetë aplikimi për këtë post ishte një moment shumë i rëndë për mua. Më lehtë e kisha pasur në Afrikë me virusin në formë shpagete apo kur i bëja detyrat mjekësore në Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.

Desha të gjej qetësi shpirtërore duke ofruar ndihmë për shtëpinë time-Universitetin. Doja ta vishja, kur të tjerët e zhvishnin. E dija se në këtë mjedis, kjo është sikur ta vesh kokën në gijotinë. Nuk e bëra për vete, sepse në jetë, tashmë mbrriva shumë më tepër sesa kisha menduar. Por, mendova ta bëj për këtë tokë, për një ideal dhe ëndërr që e shohin të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi. Të tillë ka plot. Kudo. Ata, kurrë nuk do të dorëzohen.

Çka mendova të bëj me UP u tregova të gjithëve. Publikisht.

Plani A: s’ka aftësi menaxhuese. Hiqne prej procesit. Plani B: e futën, por mos e votoni, sepse është dorë e zgjatur e këtij, e atij. Dola me nja 20 duar, këmbë e organe të tjera. Plani C: edhe nëse fiton, pas tri ditësh e anulojmë në Senat.

Unë jam i qetë. Po ua fali tradhëtinë disa Hamëz Kastriotëve. Falë ju qoftë o burra! (edhe grave, poashtu).

E, ti Hajredin Pasha vazhdo. Bjeri radikës!

Një ditë do të vijë e mbara për këtë nënqiell. Ajo e mbarë do të agojë pikërisht në Universitetin e Prishtinës. Herët apo vonë. Uroj të mos e shtyjnë shumë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe dashamirët e saj. Kudo që janë!

Luli, Kaçanik