Luftërari triumfon në finalen e Kategorisë së Parë pasi mundi në lotarinë e 11 metërshave Korabin në një përballje që zgjati përtej çdo parashikimi. Dy ekipet fituese të Grupeve A dhe B zbritën në tapetin e gjelbër të stadiumit “Qemal Stafa” për trofeun final që ka thjesht vlerë simbolike por përballja rezultoi mjaft e luftuar ku asnjë prej skuadrave luftoi për të mos dalë me humbje. 90 minutat e kohës së rregullt dhe koha shtesë përfunduan në barazim me rrjeta të paprekura dhe u desh ekzekutimi i 24 penalltive për të caktuar emrin e fituesit ku gjirokastritët triumfuan pasi u treguan më të saktë. Ndeshja nisi me ritmin e diktuar nga Korabi që falë mbështetjes së madhe të tifozerisë dibrane në “Qemal Stafa” arriti të impononte lojën e vet duke krijuar disa raste të pastra për shënim. Në minutën e 39 skuadra nga Peshkopia rrezikoi me sulmuesin Guri që u ndal nga Miraka, ndërsa në fraksionin e dytë, skuadra e Mehmetit vuajti lodhjen duke mos treguar më freskinë fizike të minutave të para. Gjithsesi, rastin më të pastër e pati Kiri në minutën e 55, por lojtari bardhekuq nuka rriti ta stoponte topin edhe pse u gjend i vetëm përballë Mirakës. Në krahun tjetër, Dhrami ishte shumë pranë golit të parë por goditja e tij rezultoi e gabuar. Pak sekonda më vonë, Arifaj u shërbue saktësisht nga Bregu por goditja e tij kaloi mbi tranversën e Kotorrit. Mundësinë e artë për Luftëtarin në minutën e 80 nuk e shfrytëzoi Dejvi Bregu, i cili nuk arriti të shtynte në rrjetë topin e mbetur në zonë. Gjatë minutave shtesë skuadrat u treguan më të kujdesshme duke kërkuar të menaxhojnë ndeshjen për të mos pësuar surpriza të pakëndshme. Pas 120 minutave sfilitëse, ekipet kërkuan drejtësi nga pika e bardhë, aty ku u ekzekutuan plot 24 11 metërsha. Situata u ndez në momentin kur Guri i dëmtuar do të ekzekutonte penalltinë e tij. Sulmuesi i skuadrës dibrane edhe pse dukshëm në vështirësi arriti të shënonte, por në fund ishte Mziu ai që shoi ëndrrën e skuadrës së Korabit që nuk arrin të vendosë qershinë mbi tortë pas një sezoni shumë të luftuar. Në krahun tjetër, Luftëtari konfirmohet si skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë, duke dhënë sinjale të rëndësishme se në Kategorinë Superiore nuk do të rikthehet thjesht për turizëm. Trajneri Edmond Kodra përgëzon skuadrën e tij dhe premton një ekip të denjë edhe për elitën e futbollit shqiptar.
Ndërsa trajneri i Korabit, Dritan Mehmeti, njeriu kryesor për rikthimin e kësaj skuadre në Superiore pas rreth 54 vitesh, e pranon se gnjitja mes më të mirëve është një përgjegjësi e madhe dhe për të rivalizuar denjësisht nevjiten investime.