Mëngjesi i datës 24 shtator i priti qytetarët e Kosovës me lajmin e fillimit të një lufte të re.
Kështu të paktën la për të kuptuar sulmi terrorist i së dielës, në Manastirin e Banjskës të Zveçanit, që vecse kishte filluar në ora 2:34, ku një grup prej shumë terroristësh që ende nuk dihet numri i saktë i tyre, kishin filluar një sulm agresor ndaj Policisë së Kosovës, përcjellë infosot.com
Sulmi terrorist në Banjskë la të vdekur reshterin e policisë, tashmë heroin Afrim Bunjaku, dhe të plagosur pjesëtarin tjetër të policisë Alban Rashiti.
Përshkallëzimi i situatës deri në këtë pikë nuk kishte arritur asnjëherë që pas mbarrimit të luftës të viteve 98-99.
Në kohën kur Kosova dhe Serbia me ndërmjetsim të Bashkimit Evropian, po mundohen të arrijnë një marrëdhënie më të mirë fqinjësore përmes marrëveshjeve ndërkombëtare e që i paraprinë njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, erdhi ky sulm që e solli përsëri marrëdhënien mes dy vendeve në pikën zero.
Situata e tensionuar bëri që edhe faktori ndërkombëtarë ta kuptoj që sanksionet e vendosura nga ta për Kosovën, me aryetimin se gjoja Kosova nuk po i përmbahej marrvëshjeve të arritura, në fakt ishin dashur të adresoheshin te pala tjetër e dialogut – Serbia. Kjo sepse, vetëm disa orë pas sulmit po dilnin fakte e dëshmi se sulmi ishte orkestruar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Nga pamjet me dron të prezatuara nga Policia e Kosovës u pa edhe përfshirja direkte e serbëve që kanë ndikim edhe në politikën kosovare. Bëhet fjalë për anëtarë të Listës Serbe, më saktë për nënkryetarin e kësaj liste Millan Radojiciq, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Edhe pse u provua të fshihej paraqitja e Radojiciq në sulmin terrorist, si duket presioni ndërkombëtarë bëri që ata të reflektojnë, dhe pas disa ditësh Radojiciq përmes avokatit të tij e mori përsipër përgjegjësine e organizimit të sulmit, duke thënë kështu se organizatori ishte ai bashkë me disa banorë serb të Kosovës, të cilët kinse ishin të pakënaqur nga Qeveria Kurti.
Në tentim të ikjes nga përgjegjësia nga shteti serb, në datën 3 shtator Radojciq u arrestua nga autoritetet serbe me urdhër ndalesë për 48 orë, por që u lirua menjëherë të nesërmen duke iu pamundësuar edhe ardhja në Kosovë.
Konfiskimi i dronëve nga grupi terrorist dhe mbledhja e provave
Një javë pas sulmit terrorist u publikuan edhe pamje nga dronët e sekuestruar nga grupi terrorist e ku shiheshin ata duke bërë përgatitje se si do të sulmonin e reagonin gjatë sulmit që u zhvillua më 24 shtator, përcjellë infosot.com
Gjatë prezantimit të provave nga shefi i Policisë së Kosovës Ejup Maqedonci dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, u tha se provat dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.
“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq”, tha Sveçla.
Përpos pamjeve nga dronët, armatimi i sekuestruar nga manastiri i Banjskës dhe brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, Kryeministri i vendit Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha se ishte armatim i kohëve moderne me vlerë prej rreth 5 milion euro e që nuk ishin mbetje nga luftrat e zhvilluara më parë. Gjë që lë të kuptohet se përgatitjet për këtë sulm ishin ndihmuar nga shteti serb sepse lidheshin direkt me donacionet e dërguara nga shteti rus për ushtrinë serbe.
Kjo gjë çoi direkt në aludimin se këtu po bëhej fjalë për një plan më të mirë menduar se sa vetëm aneksimi i veriut të Kosovës, përcjellë infosot.com.
Udhëheqës e përfaqësues ndërkombëtarë filluan me aludimet se këtu është i përfshirë edhe shteti rus, i cili po përdorë Vuciqin dhe situatën mes Kosovës e Serbisë për ta tërhequr vëmendjen e NATO-s dhe BE-së.
Kjo sipas tyre po vjen si arsye për ta larguar vëmendjen e tyre nga lufta në Ukrainë e për ta zhvendosur atë në krahun më të dobtë të NATO-s në Evropë – në Ballkan, pasi që nuk e arriti qëllimin e saj për një konfrontim direkt me NATO-n atje.
Kosova “viktima” e politikave të shteteve të mëdha
Se Kosova është “viktima” e gjeopolitikave të shteteve të mëdha dhe se po pëdoret tensioni Kosovë-Serbi tha edhe eksperti i Sigurisë në Kosovë Nuredin Ibishi për infosot.com.
Ibishi vlerësoi se shteti rus përmes dorës së zgjatur – Serbisë po vazhdon ta mbajë situtën në tension, kështu duke tentuar të shtrijë vijën e saj strategjike në Ballkan e ku sigurohet edhe dalja në det.
“Ky tension bëhet me synimin që Rusia të bëhet faktor gjeostrategjik dhe në të njejtën kohë të bëhet edhe faktor vendim marrës krahas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.”
Ai për infosot.com tha se përmes luftës hibride u synua aneksimi i veriut të Kosovës, një model i ngjashëm me atë që ka ndodhur me Krimenë.
“Putin e përdorë Vuciqin si vegël për ta zhvendosur vëmendjen nga lufta në Ukrainë për tek krahu më i dobtë i NATO-s e që është Ballkani Perëndimor”, tha Ibishi duke vlerësuar se Policia e Kosovës është treguar shumë e suksesshme pasi që ka arritur ta shmang një plan të tillë.
“Ky sulm terrorist është më i madhi deri tani ka pasur si qëllim që me një personel të përgatitur mirë e të armatosur, ka pasur si qëllim të shkëpusë një pjesë të territorit nga Kosova dhe tja bashkangjisë Serbisë. Kjo është një luftë hibride që Vuçiç po përdor, në një kohë kur politikat po i dështojnë.” – theksoi edhe njëherë Ibishi, për infosot.com.
Përfaqësuesit e SHBA-ve dhe BE-së ishin të matur në deklaratat e tyre, të cilët “me butësi” i kërkonin Serbisë t’i ndalonte sulmet e agresionit drejt Policisië së Kosovës.
OSBE, NATO, EULEX, sekretari Amerikan i shtetit, përfaqësues të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe ministritë e jashtme të shteteve kyqe të Evropës u mjaftuan me deklaratat ku dënonin me gjuhë të ashpër sulmin terrorist që la të vrarë një pjesëtar të policisë, i cili e kreu me përpikmëri detyrën e tij – mbrojtjen e shtetit.
Kështu vazhduan deklaratat me butësi deri një javë pas sulmit, ku Serbia me datë 29 shtator i afroi rreth kufirit me Kosovën 7.500 ushtrarë nga ushtria e saj, në po të njejtën ditë kur NATO vendosi t’i shtojë trupat mbrojtëse – KFOR – në territorin e Kosovës.
Ky veprim “i zgjoi” ndërkombëtarët e më së shumti shtetit mik të Kosovës – ShBA-të, të cilët filluan t’i ashpërsonin deklaratat e tyre ndaj Serbisë.
Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”, përcjellë infosot.com.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur nga kufiri.
Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.
Reagimit të tij iu kundërpërgjigj ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ku tha se Borrell nuk ishte në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe as kundër terroristëve.
Zv/kryeministrja tha se Borrell nuk mund ta trajtojë çështjen në atë formë, dhe se nuk mund të dëmtohet Kosova, nga përpjekjet për ta ndarë Serbinë nga Rusia.
“Përpjekja për ta larguar Serbinë nga Rusia si aleatin e vetëm të saj në Evropë, përpjekja është shumë legjitime, por nuk mund të krijohet largimi i Serbisë nga Rusia duke rrezikuar Korsovën apo shtete të tjera. Të dielën e ka dëshmuar që kjo qasje ka qenë e gabuar.” – tha Gërvalla, përcjellë infosot.com.
Ndërsa Parlamenti Evropian mbajti një diskutim ku eurodeputetët kërkonin që Serbisë t’i ngrihen fondet e BE-së, dhe caktuan datën 19 tetor për ta miratuar një rezolutë që dënon sulmin në Banjskë.
Ndërsa Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar për Siguri të SHBA-së, John Kirby, në një konferencë për media ngriti shqetësimin e SHBA-ve për një vendosje të madhe të trupave serbe afër kufirit me Republikën e Kosovës. Kirby ka thënë se SHBA po e vëzhgon situatën dhe ka kërkuar nga Serbia që të tërheqë trupat e saj.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet.”- tha Kirby.
Shtëpia e Bardhë doli me njoftim rreth bisedës telefonike mes Këshilltarit te Presidentit amerikan Joe Biden për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mes tjerash thuhej se Sullivan ka biseduar me Kurti për situatën në veri, dhe për të forcuar praninë e KFOR-it në këtë pjesë.
“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.” – thuhet në njoftim, përcjellë infosot.com.
Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se ShBA-të janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën.
Ai përdori njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për telefonatën që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, realizoi me Kryeministrin Kurti, derisa ka bërë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm si dhe zbatim të marrëveshjes nga të dy palët.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u tha se duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes dy shteteve. Gjermania kërkoi nga shteti serb t’i reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën – pa vonesë.
MPJ gjermane tutje ka shtuar se bashkë me partnerët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira. Berlini zyrtar kërkoi që procesi politik të vazhdojë urgjentisht.
”Kosova ka qenë prej kohësh një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s dhe bota e lirë është e përkushtuar ndaj sovranitetit të tyre. Çdo agresion ndaj Kosovës nga shtetet e mbështetura nga Rusia është i papranueshëm dhe kërcënim për sigurinë globale. Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë pranë Kosovës”, ka thënë Kongresistja republikane Lisa McClain, kështu duke i dhënë mbështjetje vendit tonë, përcjellë infosot.com.
Ndërsa studiuesja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive Ivana Stradner, ka thënë se sulmi që ndodhi në Banjskë të Zveçanit është një ëndërr e realizuar për Moskën. Sipas saj, Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për të përshkallëzuar situatën në Kosovë prej muajsh, për ta larguar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
“Ky përshkallëzim është një ëndërr e realizuar për Moskën. Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për përshkallëzime në Kosovë prej muajsh, duke ndezur tensionet në Ballkan për të larguar Perëndimin nga lufta e tij në Ukrainë. Ata kanë vërshuar hapësirën e informacionit me propagandë duke përsëritur pretendimin e vjetër se Kosova i përket Serbisë – një artikull propagandistik argumentoi se Britania e Madhe po përgatit një luftë atje. Siç e di çdo student i historisë së Ballkanit, një retorikë e tillë ka ndezur më parë dhunën etnike në rajon.” – tha Stradner.
Ndërsa Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, me deklaratat e tij ku përdorë lojë fjalësh tha se nuk e ka në plan që ta urdhërojë ushtrinë që ta kalojë kufirin me Kosovën, së cilës ai i referohet si vijë administrative. Ai ka shtuar se do ta bëjë edhe tërheqjen e disa trupave nga zona rreth kufirit, ngase sipas tij një eskalim konflikti do të ishte kundërproduktiv për Serbinë dhe rrugën e saj drejt BE-së.
“Vitin e kaluar kemi pasë 14 mijë trupa përreth vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe ato do t’i reduktojmë në 4,000.” – citohet të ketë thënë Vuçiq.
“Është gënjeshtër e pastër që Serbia është duke dërguar ushtrinë në kufi. Serbia nuk do të përfitonte prej saj sepse do ta rrezikonte pozicionin e saj në negocitata me Prishtinën”.
Mediat Ndërkombëtare
Reuters, BBC, The Guardian, New York Times, AssociatedPress, abcNews, Der Standard, The Telegraph dhe Financial Times janë vetëm disa nga mediat ndërkombëtare që shkruan për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe përfshirjen “e mundshme” ruse në tensionin Kosovë – Serbi, përcjellë infosot.com.
“Brukseli dhe Uashingtoni duket se i kanë dhënë përparësi nevojës për të mbajtur Vuçiqin në krah, duke pasur parasysh ndikimin rajonal të vendit dhe lidhjet e rëndësishme me Rusinë. Si pasojë e kësaj, ata ka gjasa ta neglizhojnë nevojën për ta mbrojtur Kosovën nga manevrimet e një fqinji ngacmues dhe shumë më të madh që beson se [Kosova] nuk ka të drejtë të ekzistojë. Duke pasur parasysh rrethanat dhe zhvillimet e fundit në Ukrainë, nuk është befasuese që Kurti ka dyshime për t’u dhënë ose jo më shumë pushtet serbëve të Kosovës në veri, të cilët kanë prirje separatiste. Në sfond, Rusia ka bërë çmos për të nxitur dhe shfrytëzuar paqëndrueshmërinë, ndërsa presidenti serb manipulon krizën për të inkurajuar nacionalizmin në vend.” – ka shkruar The Guardian, përcjellë infosot.com
“Tërheqja e trupave pasoi një deklaratë publike shqetësimi nga Shtëpia e Bardhë, një thirrje të ashpër drejtuar Vuçiqit nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe përforcimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, me qindra trupa britanike. Në bisedën e tij me Vuçiq, Blinken bëri thirrje për “de-përshkallëzimin e menjëhershëm” dhe një kthim në marrëveshjen e tij të mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Sipas Vuçiq, Blinken tha se mund të ketë masa amerikane kundër Serbisë nëse ai nuk respekton kërkesën.” – shkroi The Guardian në artikullin pasues.
Ndërsa gazetare austriake Der Standard kritikoi se përballë luftës ruse kundër Ukrainës Perëndimi ka vetëm një qëllim: ta mbajë Serbinë nën kontroll dhe kësisoj Serbia lejtohet që në stilin e saj hegjemonist të përzihet në vende të tjera.
“Thënë qartë: shtetet më të vogla si Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova duhet të paguajnë çmimin që Vuçiqi të mos i hidhet tërësisht në përqafim presidentit rus Vlladimir Putin. Në Ballkan njerëzit po ndihen të mashtruar dhe të tradhtuar nga Perëndimi, mbretëron frikë dhe zhgënjim. Ndërhyrja hegjemoniste e Serbisë ndikon që demokratët (edhe në Serbi) të dobësohen, shteti ligjor dhe të drejtat civile të goditen dhe nacionalizmi radikal të bëhet sërish ideologji mbizotëruese.” – përcjellë infosot.com
Gazeta austriake dyshon se Perëndimi do të ndryshojë kursin përkundër propagandës së tmerrshme serbe.
Derisa New York Time shkroi: “Cili është sfondi rajonal i tensioneve? Tensionet midis dy komuniteteve etnike janë ndezur rregullisht gjatë dekadës së fundit, duke e bërë rajonin një qendër dhune të përhapur. Përplasjet shpërthyen në korrik 2022 si përgjigje ndaj një ligji që do t’u kërkonte serbëve etnikë që jetojnë në Kosovë të kalonin nga targat serbe në ato kosovare. Përshkallëzimi i kohëve të fundit i armiqësive ka ardhur pasi pushtimi rus i Ukrainës ka tërhequr vëmendjen e aleatëve kryesorë të Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Serbia, një kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka qenë një partner i ngushtë i Moskës për shekuj. Megjithëse Serbia votoi në favor të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që dënonte pushtimin rus të Ukrainës në mars 2022, Serbia nuk i është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të luftës.”
Gerald R. Ford në detin Adritak e Jon
Në kohën kur u raportua se shteti serb e afroi ushtrinë në kufi me Kosovën (29 shtator) dhe njikohësisht NATO vendosi të dërgojë trupa shtesë në Kosovë, luftanija e Marinës Amerikane Gerald R. Ford e që mund të thuhet lirisht se është më e avancuara në botë, ishte afruar afër Ballkanit, përcjellë infosot.com.
Aeroplanmbajtësja e cila mbanë emrin e Presidentit të 38-të te ShBA-ve u raportua se gjendet mes Italisë e Shqipërisë.
Në raportimin nga faqet që bëjnë monitorimin e anijeve dhe avionëve ushtarakë nëpër botë thuhet se kjo luftanije ishte duke kryer një seri aktivitetesh të trajnimit të nivelit të lartë me forcat detare të Italisë, për ta përforcuar ndërveprueshmërinë me aleatët e NATO-s, kështu duke forcuar edhe stabilitetin rajonal në Mesdhe.
Raportohet se rreth 80 avionë nga më shumë se dhjetë vende të NATO-s u takuan në bazën ajrore ushtarake, e cila gjendet mes Barit e Torontos, përcjellë infosot.com
Skuadra e anijeve që njihet me emrin Tigrat e NATO-s bëjnë kontrollin e hershëm ajror.
Gerald R. Ford u pa në Mesdhe mes datave 29 shtator dhe 6 tetor, ku thuhet se u kryen edhe “stërvitjet ushtarake për të krijuar stabilitet në rajon”.
🇺🇸CARRIER STRIKE GROUP 12🇺🇸 + 🇷🇺SHADOW
Spotted 76 KM NE of 🇮🇹Bari (1 Oct 2023). CVN-78, 2x Arleigh Burke Class Destroyers, 1x Ticonderoga Class Cruiser & 11 KM NE of that could be 🇷🇺Moma Class Intelligence Ship Kildin (last seen in Tartus on 13 Sep)h/t @d_viekass pic.twitter.com/HEztsE8oLE
— MT Anderson (@MT_Anderson) October 2, 2023
Ajo që është interesante është se një anije spiune e marinës ruse, Kildin, po lundronte rreth 11 km larg. Kildin është një anije ruse spiune që mbledhë informacione “intelegjente” në mënyrë elektronike rreth patrullimit të anijeve dhe avionëve ushtarakë nëpër botë, përcjellë infosot.com.
🇺🇸CARRIER STRIKE GROUP 12🇺🇸 + 🇷🇺SHADOW
Spotted 76 KM NE of 🇮🇹Bari (1 Oct 2023). CVN-78, 2x Arleigh Burke Class Destroyers, 1x Ticonderoga Class Cruiser & 11 KM NE of that could be 🇷🇺Moma Class Intelligence Ship Kildin (last seen in Tartus on 13 Sep)h/t @d_viekass pic.twitter.com/HEztsE8oLE
— MT Anderson (@MT_Anderson) October 2, 2023
Burimi – https://www.itamilradar.com/2023/10/03/shadowing-uss-ford-in-the-adriatic-sea/?amp=1&fbclid=IwAR1cH6VYgOEw7ojqezUIRp9gCfX-V4y_PxIu1aoCIxolcCy7kyzPg5mJmGk
Edona Kryeziu – infosot.com