Lufta shqiptaro malazeze për kullotat

E publikuar: 27/10/2016 19:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ramiz Abdyli
(Prologu i armiqësisë shqiptaro-malazeze)
Mali i Zi ia doli t’i zgjerojë kufijtë e tij në kurriz të tokave shqiptare me vendimet e Fuqive të Mëdha (1878, 1913). Ky zgjerim ndodhi në radhë të parë falë ndihmesës së Rusisë, si dhe gatishmërisë së Perandorisë Osmane për të hequr dorë nga kufijtë e saj, prona ndër shekuj të shqiptarëve. Për Rusinë zgjerimi i kufijve te Malit të Zi ishte në kuadër të projektit të saj strategjik për dominimin e Ballkanit përmes popujve sllavë ortodoks. Ndërsa për Perandorinë Osmane lëshime pe në dëm të tokave shqiptare përbënte diç cikërrimtare në krahasim me tokat që i posedonte në tre kontinente. Kështu Mali i Zi ia doli të shtijë në dorë mjaftë kullosa e pyje shqiptare.

Lufta për kullotat daton nga fillimi i shek. 19, e cila kulmoni në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të kaluar, atëherë kur Mali i Zi do t’ia dilte të zotëronte një pjesë sado të vogël të projektit të tij tejet ambicioz. Për këto ngjarje të përgjakshme flasin gjerësisht sidomos burimet vjeneze. Sipas tyre, sunduesi malazez Nikolla Petroviq I, për jetësimin e këtij projekti, shfrytëzoi fisin e vasojeviqit, njërin nga shtatë fiset e asimiluara shqiptare, i cili kufizohej me trevat shqiptare nga Selca e Nikçi deri në Beranë. Luftën për pushtimin e kullotave shqiptare sovrani malazez e arsyetonte se kështu do tu “merrej haku” atyre për betejat e humbura në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1879-1880), si dhe, për t’iu kundërvënë ngritjes së Kullës në Çakorr, një pikë me interes të veçante strategjik për këtë vend.

Lufta e parë për kullotat shqiptaro malazezëve sipas burimeve të përmendura u zhvillua më 20 gusht të vitit 1902. Atëherë forca të shumta malazeze kishin hyrë brenda kufirit osman për të marrë me forcën armëve. Qeveria malaze kishte dhënë në komunikatë për opinion se ushtria e saj kishte “ndjekur barinjtë shqiptarë nga kullotat malazeze”. Por këtë pohim të saj e përgënjeshtronte konsulli austro-hungarez në Shkodër, Ippen, në raportin e tij, që ia dërgonte qeverisë së tij në Vjenë. Ai e thotë se për këtë kishte siguruar informacione nga vendi i ngjarjes, sipas të cilave vasojeviqasit ishin përpjekur prej vitesh “t’ia pushtojë selcasve e nikçasve disa kullota malore, që gjenden në anën tjetër të kufirit, në territorin turk, ne veri të luginës së Vermoshit”. Gjithnjë sipas tij, vasojeviqasit, duke patuar mbështetjen e ushtrisë e të bandave kriminele malazeze, ishin “futur në zonën turke (lexo shqiptare), afër tri orë larg kufirit, ku ngritën një istikam” (llogore). Ky diplomat e thotë më tej se “malësorët e rrezikuar dhanë kushtrimin, të cilit iu përgjigjën pothuaj gjithë shqiptarët e zonës kufitare deri në Plavë e Rugovë”. Ky diplomat e vinte në dijeni qeverinë e tij se luftimet kishin qenë “të ashpra e të përgjakshme”. Po kështu ai vinte në dukje faktin, se ndonëse malazezët kishin qenë shumë më mirë të armatosur, ata kishin humbur betejën, se “shqiptarët i detyruan ata të zmbrapsen përtej kufirit”. Ai nuk jep të dhëna për të vrarët e të plagosurit, që, sipas gjasave do të kenë qenë të shumtë.

Diplomati i përmendur theksonte faktin tronditës, se gjatë këtyre luftimeve ushtria osmane kishte qëndruar anash, në rolin e “vëzhgueses”, sepse Stambolli e Cetina ishin marrë vesh paraprakisht për t’i falë kullota e pyje palës malazeze. Kjo, sipas tij provohej me faktin se qeveria osmane të nesërmen dërgoi atje kajmekamin e Beranës, i shoqëruar me një zyrtar malazez, që provonte qartë marrëveshjen midis tyre dhe, se ata kishin shkuar atje në një “mision ndërmjetësues midis palëve, për të evituar gjakderdhjen”. Qëndrimi tradhtar i qeverisë osmane ndaj tokave të shtetasve të saj, malësorëve, provohej e dilte sheshit kur zyrtari malazez i ofroi këtyre si kompensim një shumë prej 1. 300 groshëve për kullotat që do t’i humbnin. Por malësorët e kishin kuptuar këtë lojë dhe, kishin hedhur poshtë ofertën përkundër përpjekjeve të kajmekamit osman për t’i bindur ata që t’i merrnin të hollat.

Lufta për pushtimin e kullotave të shqiptarëve të zonës së përmendur do të intensifikohej sidomos në vitin 1907, për të bërë kështu presion mbi Hasan Ferrin, me pasuesit e tij, e krerët e krahinave për rreth, që të hiqej dorë nga Kulla e ngritur në Qafë të Çakorrit. Kështu, kjo pikë strategjike që i ishte dhënë Malit Zi, do t’i mundësonte atij për ta pas Plavën e Gucinë”si në pëllëmbë të dorës”. Konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Zambaur e thotë se Mali i Zi si kundërpërgjigje ndaj ngritjes së Kullës, ndërmori një varg sulmesh në zonat kufitare shqiptare. Ky diplomat i raportonte qeverisë së tij se në rajonin e Beranës, Plavës e Gucisë “ prej muajsh nuk kalon ditë pa përleshje midis shqiptarëve dhe malazezëve për Kullën në Çakorr dhe kullotat e shqiptarëve të zonave kufitare”. Ai më tej e thotë se ato dite ishte zhvilluar një përleshje në lartësitë e Vizitorit, mbi Guci. Vihej në dukje se “konflikti mori përmasa të një lufte të vërtetë kur guciasit dhanë kushtrimin në krahinat shqiptare për rreth, si në Plavë, Malësi të Gjakovës e të Pejë, për t’i zbuar malazezët nga kullotat e tyre”. Sipas tij, ndonëse ushtria me bandat kriminale “ishin ndjekur përtej kufirit, ata sërish vijonin sulmet drejt tokave”.

Pohimet e diplomatit të përmendur i konfirmon edhe kolegu i tij në Shkodër, Kral. Ky i raportoi gjerësisht qeverisë së tij këto luftime midis malazezëve dhe shqiptarëve për pushtimin e kullotave të këtyre të fundit, si dhe për Kullën e Hasan Ferrit gjatë gjysmën së dytë të gushtit 1907: “Luftimet zhvillohen herë për kullosa, herë për kullën dhe, herë për të dyjat”, shkruante ai. Më tej ai pohon se për kullotat e Nikçit, Selcës e të Kelmendit, të cilat Mali i Zi i kishte shpallur si prona të ligjshme të tij” janë të shqiptarëve”. Si dëshmi për këtë ai i referohej hartave, rrjedhimisht “Projektit të hartave” (qeveritare osmane), sipas të cilave “kullotat janë në territorin turk”. Për këto pohime ai i referohej baronit austriak von Kűhen, i cili kishte trajtuar “Çështjen e grindjeve” për zotërimin e kullotave midis malësorëve të Nikçkit dhe të Selcës dhe malazezëve të Analimit, që do të thoshte të vasojeviqasve. Kűhen kishte dhënë prova të pakundërshtueshme se “kullotat e këtyre malësorëve janë disa orë larg kufirit malazez, dhe se ata i mbrojnë ato nga pushtimi malazez, sepse janë i vetmi burim për jetesën e tyre”.

Përkundër fakteve të mësipërme, si rrjedhojë tradhtisë së Perandorisë Osmane, Cetina ia doli t’i përvetësojë disa kullota e pyje që ishin deri atëherë në pronësi të shqiptarëve, rrjedhimisht brenda kufijve të saj. Këtë e thotë ambasadori austro-hungarez në Stamboll në një raport, që ia dërgonte qeverisë së tij në korrik të vitit 1907. Në raport midis tjerash thuhet: “Malazezët e vasojeviqit, që prej një viti vazhdojnë të grabisin toka nga kullotat e malësorëve të Selcës dhe Nikçit. Kështu ata ia kanë dalë të marrin njërën pas tjetrës kullotat e Mojancit, Tantirogut, Kërsh Sikolevit në veriperëndim dhe në veri të Vizitorit. Si rrjedhojë e këtyre grabitjeve të dhunshme më forcën e armëve të ushtrisë malësorët e Nikçit dhe të Slecës janë detyruar të tërhiqen deri në Vermosh dhe në Greben”.

Për këtë flasin edhe rezultatet e hulumtimit të studiuesit austriak, Karl Shtainmetc, i cili çdo vit kishte ndërmerrte udhëtime studimore në Shqipëri dhe, ia kishte dalë të depërtonte deri në pikat e luftimeve, në anën e malësorëve, në “thuaja në të gjitha shkëmbimet e përditshme të zjarrit dhe ka dëgjuar sinjalet e borisë së ushtarëve malazezë”. Sipas shënimeve të këtij profesori, malazezët tashmë ia kishin dalë të zotëronin gjithë zonën Velipojë-Vizitor, duke pohuar se “gjithë ky territor, pa përjashtim ishte brenda kufirit turk”. Sipas tij, mundësia e vetme për t’u dalë në ndihmë malësorëve ishte formimi i një komisioni ndërshtetëror për të provuar të drejtën e malësorëve mbi kullosat e tyre dhe, ngritjen e një zinxhiri postash ushtarake nga Perandoria Osmane përgjatë kufirit me Malin e Zi në këtë zonë”. Ambasadori austro-hungarez në Stamboll e thotë se prapa këtij pazari të pistë qëndronte Porta e Lartë, “pjesërisht nga trysnia e Shën Petersburgut , po edhe nga zemërgjerësia e saj, sipas logjikës se ajo kishte shumë toka, dhe lëshimi i disa kullotave shqiptare nuk çonin peshë për të”.

Shqiptarësinë e kullotave të mësipërme, të kontestuara nga Mali i Zi, e provon edhe konsulli austro-hungarez në Shkodër, Ippen. Ky diplomat në një raport që ia dërgonte Ministrit të tij të Jashtëm në Vjenë, ngulmonte se ishte në gjendje të jepte prova me anë të disa hartave, “se kullotat veriore të malësorëve të Niçkit e të Selcës nuk gjenden në territorin malazez, por përkundrazi në mënyrë absolute dhe pa asnjë dyshim ato janë në territorin turk (lexo shqiptar. . . )”. Ippen e hedh poshtë pretendimin e Malit të Zi që këto kullota të ishin prona të tij, duke e quajtur këto synime “një shtrembërim i drejtpërdrejtë i të vërtetës”, se nuk ishin “arnautët (shqiptarët) ata që bëjnë krime në anën malazeze të kufirit, siç përpiqet ta plasojë këtë gënjeshtër pala malazeze në qarqet diplomatike”. Diplomati vjenez, po kështu kritikonte qëndrimin e Perandorisë Osmane se po “linte në heshtje të vërtetën”, duke vënë në dukje se “malazezët kanë pushtuar kullota të shumta shqiptare”. Ippen, më tej, e thotë se malazezët me anë të goditjeve të vogla përpiqeshin të zhvendosnin shqiptarët e Kelmendit nga kullotat e tyre “të cilat gjenden në zonën turke, në përputhje me kufijtë e vendosur në atë kohë me një komision ndërkombëtar. Një pjesë e pronarëve të tyre zotërojnë dokumentet e pronësisë (tapitë)”. Edhe ky diplomat shtonte se përkundër këtyre argumenteve, përgjatë dy viteve të fundit, “si rrjedhojë e një veprimtarie energjike të Malit të Zi, shqiptarët u detyruan të tërhiqeshin nga gjithë krahinat në veri të Vermoshit, nga shpina e zonës Guci-Plavë”.

Qëndrimi kapitullues i Portës së Lartë ndaj kullotave të malësorëve shqiptarë, shqetësoi shumë qeverinë austro-hungareze, edhe për faktin se Vjenës prej kohësh i ishte njohur e drejta e protektoratit kulturor mbi katolikët në Perandorinë Osmane nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Kjo qe arsyeja që Vjena ta autorizonte ambasadorin e saj në Stamboll, që të protestonte pranë Portës së Lartë. Ky diplomat iu drejtua me një protestë me shkrim kabinetit të vezirit të madh, me të cilën fajësohej Porta e Lartë për rrëmbimet e tokave të malësorëve të Nikçit e të Selcës e Kelmendtit nga Mali i Zi. Ai jepte prova për qëndrimin “indiferent të qeverisë osmane kundrejt luftës së malësorëve, të cilët nuk u ndihmuan as me armatim”. Për zgjidhjen e këtij problemi të dhembshëm ky diplomat kërkoi nga Porta e Lartë që të ngrihej një komision i përzier “për evitimin e grindjeve dhe kthimin e pronave pronarëve të tyre”. Mirëpo, kërkesa e tij nuk u maur në konsideratë. Së fundi, ai thotë se Tefik Pasha, Ministër i Jashtëm osman, “sikur e kuptonte me vështirësi politikën ekzistuese të durimit të Sulltanit, e cila gjen shprehje në dhuratat e subvencionet e rregullta, që i jepte ky princit të Malit të Zi dhe pjesëtarëve të familjes së tij”.

Knjazi i i Malit të Zi nxiti edhe më tej vasojeviqët, bandat kriminele dhe ushtrinë për pushtime të mëtejme të kullotave shqiptare. Për rrjedhojë, në fund të tetorit 1907, u zhvilluan një përleshje tjetër midis malazezëve dhe shqiptarëve te Ura e Haxhi Tahirit, në bregun jugor të lumit Cem. Pala malazeze përsëri ia hodhi fajin shqiptarëve, se ata ishin shkaktar të kësaj lufte. Por konsulli austro-hungarez në Shkodër, Kral e thotë se nuk qe “pengimi i barinjve malazezë për të ushtruar të drejtën e kullotës së bagëtisë së Nikçit dhe të Selcës, rrjedhimisht për çarmatosjen e tyre, siç pretendon Cetina, sepse malzezët ishin që provuan të pengonin ngritjen e një karakolli turk afër Urës së Haxhi Tahirit”-thot ai. Për këtë luftë informonte edhe konsulli Ippen në një raport. Sipas tij Vasojeviqi, i mbështetur nga ushtria dhe bandat kriminele kishin pushtuar një maje, larg nga kufiri shtetëror malazezo-turk dhe kishin ngritur mbi të një llogore (fortifikatë) me gurë. Më pas atje u zhvillua një luftë midis tyre dhe malësorëve, e cila kishte zgjatur rreth 10 orë. Së fundi, sulmuesit ishin detyruar të tërhiqeshin përtej kufirit. Malësorët ia kishin dalë të shtinin në dorë gjatë natës vijuese llogoren. Por Vasojeviqi edhe më tej, me mbështetjen e ushtrisë e të bandave kriminale futeshin përtej kufirit në zonën e shqiptarëve, ndërsa qeveria osmane nuk reagonte pranë autoriteteve të Cetinës. Kjo, sipas tij, kishte si rrjedhojë gjenerimin e trazira të vazhdueshme në këtë zonë kufitare.

Një përleshje tjetër e përgjakshme ndodhi midis malësorëve të përmendur dhe forcave të kombinuara malazeze edhe në dhjetor të vitit 1907. Edhe kësaj radhe luftimet u zhvilluan të Ura e Haxhi Tahirit. Në anën e Vasojeviqit mori pjesë edhe një forcë e ushtrisë prej 5000 vetash. Kjo ushtri theu karakollët e ushtrisë osmane dhe u fut në brendësi të tokave shqiptare. Atëherë pasuan luftimet, të cilat patën për rrjedhojë vrasjet e disa shqiptarëve. Edhe pala tjetër kishte të vrarë, por mungonin informacionet për numrin e tyre.

Për këtë betejë flet edhe një dokument malazez. Sipas tij konflikti kishte shpërthyer pasi shqiptarët kishin ndjekur barinjtë e Vasojeviqit dhe kishin prerë drurë në pyje, por nuk thuhet se në cilën anë të kufirit ishin bërë këto veprime nga ana e shqiptarëve[1]. Është për t’u vënë në dukje se në Arkivin e Cetinës gjendet një mori dokumentesh, që kanë të bëjnë me kinse “konfliktet kufitare” dhe jo me luftërat shqiptaro-malazeze ndër vite, ndërsa fajësohen në vijimësi shqiptarët, kinse ata hynin në anën tjetër të kufirit dhe bënin krime, që bien ndesh me burimet e përmendura vjeneze, dhe ato shqiptare, si dhe rezultatet e ndonjë studiuesi të paanshëm të huaj, siç u provua më sipër.

Si rrjedhojë e humbjes së kullotave të tyre u përkeqësua gjendja ekonomike e malësorëve të viseve të përmendura, deri në shkallën e mjerimit. Konsulli austro-hungarez në Shkodër e thotë se “ankesat e këtyre e malësorëve trima tek autoritet osmane nuk çojnë fare peshë”. Nga kjo përvojë e hidhur Kelmendasit pohonin se: “Sulltani na braktisi” dhe “Turqia ka vdekur”[2]. Kjo perandori nën diktatin e Rusisë, tashmë ishte pajtuar që tokat e ligjshme të shqiptarëve të ktheheshin në “plaçkë tregu”.

Bibliografi:

[1] Arhiv Crne Gore u Cetinju, Ministarstvo Ipstranih Djala, kut. 139, god 1907, Pogranicni sukobo i incodenti.

[2] Po aty.