Gianni De Biasi po shijon pushimet e merituara, për të rifituar energjitë për edicionin e kualifikueseve të Botërorit 2018, në kërkim të një tjetër mrekullie.
E ndërsa trajneri ka deklaruar gjithmonë se do të vijojë punën e nisur në Kombëtaren shqiptare, emri i tij përflitet sërish në Rumani. 60-vjeçari mbetet një prej kandidatëve për të qenë pasardhës i të larguarit, Iordănescu, ashtu si Lars Lagerback apo gjermanët Ralf Rangnick dhe Armin Veh.
Në diskutimin nëse rumunët duhet të marrin apo jo një trajner të huaj u përfshi edhe ish-trajneri i përfaqësueses, Răzvan Lucescu. Ai u shpreh pro faktit që federata mund të emërojë një seleksionues të huaj, ndërsa për DigiSport lavdëroi edhe punën e De Biasi-t.
Lucescu vlerësoi se italo-shqiptari mori drejtimin e Shqipërisë, kur Kombëtarja kuqezi ishte në një udhëkryq, pikërisht ashtu si Rumania pas Kampionatit Europian dhe arriti të krijonte një skuadër konkurruese dhe me identitet.
Lucescu e krahasoi punën e De Biasit te Shqipëria, me atë të Fabio Capello-s te Anglia dhe Alberto Zaçheroni-t te Japonia, duke theksuar se të gjithë kishin sukses në detyrat për të ringritur përfaqësueset në vështirësi prej ndërrimit të brezave./supersport.al/