LSI i ka drejtuar një apel të fortë, sot, SHBA-së dhe BE-së. Kryetari i Grupit parlamentar Petrit Vasili ka shkruar një mesazh në rrjetet sociale për ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ku vë alarmin për “asgjesimin” e Reformës në Drejtësi nga mazhoranca.
“Rilindja rrëzon përfundimisht reformën në drejtësi, – shprehet Vasili. – Edhe shqiptari më i fundit nuk ka harruar se u garantuan publikisht nga ambasadorët Lu dhe Vllahutin, se ligjet e reformës ne drejtësi do t’i bënin ekspertët dhe do të vinin për miratim pa ndryshime në parlament. U vendos kështu, me qenë se ekspertët ishin të pavarur, të mbështetur nga Euralius, OPDAT dhe Komisioni i Venecias, që të mos lejohej politika që të kapte drejtësinë. Por, Rilindja e shkeli dhe e shtypi këtë parim.Tani ligjet e reformës i bën totalisht Rilindja, madje mbrëmë i ndryshoi totalisht edhe përmbajtjen edhe titullin ligjeve që ekspertët përgatitën; ashtu siç bënë edhe me vetingun dy javë më parë, ku i shkurtuan edhe njerëzit edhe paratë.
Reforma në drejtësi ra. Parimet e reformës dhe grupi i ekspertëve me Euralius dhe Opdat u asgjësuan. Reforma u kap nga Rilindja ditën për diell. Lu dhe Vlahutin, reagoni! Ç’prisni?! Zhgënjimi popullor është i madh. Askush nuk beson më tek reforma në drejtësi.”
















