Lorik Cana u prezantua zyrtarisht me skuadrën e tij të re, Nantes. Kapiteni i Shqipërisë, që firmosi vetëm në ditën e fundit të merkatos me klubin nga “La Beaujoire” një kontratë dy vjecare, pas ndeshjes me Portugalinë iu bashkua skuadrës së tij të re në qendrën stërvitore të “La Joneliere”, ku u prit nga drejtues të ekipit francez. Cana, u njoh gjithashtu dhe me ambjentet e klubit dhe dhomat e zhveshjes, ku pozoi dhe me fanellën numër 5.
Ndërkohë që në seancën e tij të parë stërvitore me skuadrën e re, pas transferimit nga Lazio, Cana u shoqërua gjatë gjithë kohës nga futbollisti tjetër i Kombëtares Ermir Lenjani, që nuk e la për asnjë moment vetëm kapitenin. Cana cilësohet si një blerje shumë e rëndësishme për skuadrën e Nantes dhe mendohet se mund të debutojë që këtë fundjavë me skuadrën e tij të re në ndeshjen ndaj Rennes, që do të jetë e vecantë mbi të gjitha për Lenjanin, i cili do të luajë ndaj ish-ekipit të tij.