Jorge Lorenzo nuk dorëzohet edhe pas aksidentit në pistën e Misanos që e detyroi të braktiste garën për Çmimin e Madh të San Marinos.
Spanjolli i Yamahas nuk arriti ta mbante motorin në pistë gjatë kthesës së fundit dhe menjëherë pas aksidentit iu nënshtrua analizave të cilat nuk evidentuan asnjë dëmtim të rëndë për të. Lorenzo është gati të zbresë sërish në pistë me një objektiv të vetëm, të rivalizojë Valentino Rossin deri në fund në garën për titullin kampion.
“Më vjen keq për ekipin dhe tifozët e mi por për fat të mirë nuk kam asnjë problem dhe do të vazhdoj të luftoj deri në fund”, shkruan kampioni iberik në faqen e tij në Twitter. Ndërkohë, Valentino Rossi shtrëngon pikët e marra në garën e shtëpisë, duke theksuar se zgjerimi i diferencës me 11 pikë është lajmi më i mirë që mund të vijë pas një gare si ajo e MIsanos ku mund të kishte ndodhur gjithçka për shkak të kushteve të papërshtatshme atmosferike. “Gjithsesi vazhdoj të jem disi i zhgënjyer pasi mund të zhvilloja një garë më të mirë për t’u ngjitur në podium por tashmë duhet të mendoj për ndalesat e ardhshme”, nënvizon numri 46 i skuadrës Yamaha që kryeson me 247 pikë, i ndjekur nga Lorenzo me 224 dhe Marquez me 184.