Jorge Lorenzo i dërgon një sinjal të rëndësishëm Valentino Rossit. Direkt nga pista e Sepangut në Malajzi, spanjolli i Yamahas regjistroi kohën më të shpejtë në sesionin e dytë të testeve të lira, duke e lënë “Doktorin” pas edhe pse të dy garojnë me të njëjtin motor, Yamahan zyrtare. Me kohën 2 minuta e 246 të mijtat, piloti nga Mallorca la pas dy bashkëkombasit e Hondas, Daniel Pedrosa dhe Marc Marquez, ndërsa Andrea Ianonne konfirmon momentin e mirë që po kalon me motorin Ducati pasi regjistroi kohën e katër më të mirë. Lideri i kampionatit, Valentino Rossi nuk shkoi më shumë se vendi i tetë, duke lëshuar terren ndaj ndjekësit Lorenzo pasi Yamaha e italianit nuk po gjen ritmin në pistën malajziane. Me pothuajse gjysmë sekonde më shumë, Rossi u shfaq në vështirësi edhe pse fundjava mund të dhurojë shumë surpriza.
Në konferencën për shtyp, Marquez replikoi ndaj deklaratës së bërë nga “Doktori” pak orë më parë, duke theksuar se e kupton situatën e italianit pasi ai është në garë për titullin botëror. “Duhet të luftojë me Lorenzon dhe duhet ta mundë në pistë. Ai ka talent të mjaftueshëm për t’ia dalë mbanë dhe unë nuk dua të jem pjesë e kësaj lufte”, nënvizoi Marquez. Një qëndrim i ekujlibruar nga ana e dy herë kampionit të botës, ndaj të cilit Rossi hodhi akuza duke u shprehur se ai dëshiron që titullin ta fitojë Lorenzo. “Unë e respektoj Rossin dhe asgjë nuk ndryshoi pas deklaratës së tij. Valentino është motoçiklisti më i madh i historisë dhe ajo që ka thënë më preku pak. Unë në çdo garë jap 100 % dhe nuk e kuptoj se çfarë dëshironte të thoshte me atë deklaratë. Në Australi e parakalova Lorenzon duke i hequr pikë”, theksoi në fund të konferencës për shtyp Marquez.