Lopetegui: Me Shqipërinë, më e vështirë se me Italinë

E publikuar: 07/10/2016 10:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Torino përfundoi 1-1 mes pretendtëve kryesorë të grupit të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit. Një pikë që shpëton Italinë, një barazim që i rri jashtëzakonisht ngushtë spanjollëve që pasi i dhanë një leksion futbolli të kaltërve duke dominuar lojën nuk arritën të marin një fitore të rëndësishme në shanset për ta përfunduar fushatën në vendin e parë që siguron kualifikimin direkt. Për Shqipërinë, sot kryesuese me pikë të plota pas dy ndeshjesh, është e sigurt se përballë të dielën në Loro Borici do të ketë një kundërshtar që demonstroi rritje të ndjeshme në krahasim me Europianin, dhe mbi të gjitha, shumë të etur për të marë fitoren që kënaq pritshmëritë e spanjollëve. Jo rastërsisht Lopetegui menjëherë në konferencën për shtyp pas ndeshjes, hedh sytë nga përballja në Loro Borici me kuqezinjtë e De Biasit.

“Menduam se shkoi mirë, pasi ishim dominues ndaj tyre për pjesën më të madhe të lojës. Duhet të lexojmë me kujdes atë cka bëmë mirë dhe ato gjëra që nuk ishin aq të mira. Ndeshja me Shqipërinë është më e vështira nga këto dy takime”.

Shqipëria më e vështirë se Italia. Një deklaratë që ka si synim përqëndrimin e ekipit për të dhënë maksimumin në Loro Borici, ndërkohë që nga kampi i Spanjës edhe Alvaro Morata paralajmëron një ndeshje të vështirë për La Roja-n.

“Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë, për shkak të fushës, ndërsa dhe ata do ta bëjnë sfidën shumë të komplikuar për ne. Kam luajtur atje më parë me Përfaqësuesen e U-21, dhe ishte një ndeshje që dua ta harroj, e luajtur në një fushë të tmerrshme”.

Për takimin e kësaj të diele, Spanja me siguri nuk do të ketë Jordi Alba, i cili u dëmtua duke u detyruar të lërë fushën që në minutën e 22 ndaj Italisë.