Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 në rrezik? Qeveria Kurti dëshiron t’ia marrë organizimin Komunës së Prishtinës

E publikuar: 10/08/2024 19:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 ka rrezik që të dështojnë dhe mos mbahen fare. Kjo pasi që institucionet e Kosovës janë vonuar në funksionalizimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare.

Për më tepër, në këtë çështje është përfshirë edhe Qeveria e Kosovës, që siç shkruan Kallxo.com, iu kanë dërguar një letër Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare ku kërkojnë arritjen e një marrëveshje të re.

Sipas këtij propozimi, protagonist kryesor është Qeveria e Kosovës e jo Komuna e Prishtinës siç është paraparë fillimisht nga Lojërat Mesdhetare.

Ndërsa më datë 27 qershor 2024, Komiteti i ka kthyer përgjigje Qeverisë duke i thënë që nuk munden të hyjnë në marrëveshje direkte me Qeveritë ngase ata nënshkruajnë marrëveshje me qytetet.

Në përgjigjen e tyre, ata paralajmërojnë që ka rrezik që të dështojë komplet mbajtja e Lojërave Mesdhetare në Kosovë për shkak se Kosova është vonuar në zotimet që i ka dhënë.

“KNLM (Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare) ngrohtësisht fton të gjitha palët e përfshira që urgjentisht të përgatisin dokumentacionin e kërkuar (që veçse është e njohur për të gjithë), duke kujtuar që afati i fundit për të bërë operacional Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare, është 8 shtator 2024, më së largu” – thuhet në përgjigjen që Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KNLM-së i kanë kthyer Qeverisë.

Dallimi kryesor mes marrëveshjes së nënshkruar më 08.09.2023 dhe asaj që e ka propozuar Qeveria e Kosovës është që në të parën organizatore është Komuna e Prishtinës e Qeveria është garantuese financiare për organizimin e Lojërave kurse në të dytën, Qeveria është vetë organizatore e lojërave./Kallxo.com