Nga sot, ndërtesa e Administratës dhe Hemodializës në Spitalin e Gjakovës është bërë me masa të efiçiencës së energjisë.
Kjo falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përmes kredisë së Bankës Botërore për Projektin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtritshme.
Në ceremoninë inauguruese të këtij projekti morën pjesë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, dhe përfaqësues të Spitalit të Gjakovës.
Ministri Lluka tha, “Jemi këtu bashkërisht që të shohim punimet dhe përurimin e projektit këtu ku jemi te hemodializa. Është një projekt i cili ka për qëllim që të gjitha objektet qendrore të bëhen efiçiente. Ky objekt është ndryshuar tërësisht nga jashtë”.
“Deri në fund të projektit parashikohet të implementohen projekte rinovuese në rreth 140 ndërtesa publike në tërë Kosovën. Është me rëndësi ndikimi në ambient, vetëm me këto projekte do të evitohet emetimi i dioksidit të karbonit. Projekti ka vlerë 30 milionë euro”, shtoi ai.


















