Lladrovci për vjedhjen e votave: Më në fund i doli tymi

E publikuar: 19/01/2026 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar duke thënë “më në fund doli tymi”, referuar manipulimit dhe vjedhjeve të votave të kandidatëve brenda partive.

Ai ka shkruar se kjo nuk është asgjë e re, vetëm ishte çështje  kohësh siç thotë ai për të dalë tymi, dhe se tani të gjithë do ta shohin mjegullën në këtë proces zgjedhor.

Lladrovci thekson se ka personalitete që kanë marrë pjesë një herë në zgjedhje dhe më kurrë nuk do të marrin pjesë.

“Më në fund i doli tymi! E ditur dhe e pritur, anulohen rezultatet e numërimit të votave nga zgjedhjet nacionale të 28 Dhjetorit dhe do të bëhet rinumërimi i tyre në 28 komuna. Asgjë e re, asgjë e papritur, çështje ishte vetëm koha kur do t’i dalë tymi, kur do ta shohin të gjithë se ka mjegull në proces dhe jo gjithçka është transparente dhe zbatim i ligjit. Ka personalitete që kanë marrë pjesë një herë në zgjedhje dhe më kurrë nuk do të marrin pjesë, për shkak të dëmtimit të reputacionit që iu është bërë, jo nga qytetari apo mungesa e votave, por, nga mënyra e zhvillimit të procesit të zgjedhjeve dhe vjedhjeve të brendshme”, ka shkruar ai.

Më tej thotë se është e qartë se demokracia është e brishtë.

“Tashmë, është e qartë se demokracia jonë e brishtë, është me sëmundje të dukshme, në procesin më të ndjeshëm, është e sëmurë në procesin zgjedhor. Vjedhja e votës, dëmton secilin qytetar i cili merr apo nuk merr pjesë në zgjedhje. Dëmton shtetin dhe besueshmërinë ndaj tij”, nënvizon Lladrovci.

Ai ka vënë në vëmendje edhe kundërshtimin që kishte për listën me dhjetë kandidatë.

“Kam qenë kundër listës me dhjetë kandidatë, sepse dyfishohej mundësia për të ndikuar në votë. Thuhet se mbi 50% e qytetarëve nuk i votojnë të gjithë 10 kandidatët e listës, të paraparë me ligj. Mendoj se lideri duhet të jetë bartës i listës, i lidhur me votën e subjektit politik dhe të votohet vetëm një kandidat. Këto numërime të votave dëshmuan se ligji mund të jetë i mirë, por, kërkohet zbatimi i ligjit si pjesë e pandashme e procesit zgjedhor demokratik. Pres të veprojë ligji në këtë rast, të ndërmerren hapa urgjent për digjitalizimin e votimit dhe ndryshimi i ligjit, një votë – një kandidat”, përfundon shkrimin Lladrovci.