Familja e heroit të Kosovës, Fehmi Lladrovci, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke hedhur poshtë çdo pretendim për përfshirje të tij në veprime të paligjshme.
Në reagimin nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, thuhet se emri i Fehmiut është lakuar në kontekstin e një hierarkie ushtarake dhe të dhënies së urdhrave, pretendime të cilat familja i cilëson si të pavërteta dhe të pabazuara.
Sipas deklaratës, një raport i UNMIK-ut përmend gjoja një dokument të sekuestruar më 8 maj 2001, ku aludohet për një urdhër të dhënë nga Fehmi Lladrovci në prill të vitit 1998. Familja thekson se ky përfundim bie në kundërshtim me vetë përmbajtjen e deklaratës së cituar dhe me rrethanat kohore, duke shtuar se në periudhën e përmendur Lladrovci ndodhej në Rahovec.
Në reagim theksohet gjithashtu se nuk ka qenë praktikë apo parim i UÇK-së që pranimi i një ushtari të ri të kushtëzohej me kryerjen e ndonjë aksioni, pasi, sipas tyre, organizimi ishte vullnetar dhe i bazuar në gatishmërinë për t’iu bashkuar njësive çlirimtare.
Familja Lladrovci nënvizon se, pavarësisht përvojës së Fehmi Lladrovcit në luftën e Kroacisë dhe angazhimit të tij në përgatitjen e luftës çlirimtare në Kosovë, ai nuk kishte pretenduar grada apo tituj ushtarakë, as të ndërhynte në vendimet e formacioneve lokale.
Në fund të reagimit, familja kundërshton deklaratat e Prokurorisë në Hagë ku përmendet emri i Fehmi Lladrovcit, duke theksuar se ai, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, kanë qenë dhe mbeten çlirimtarë dhe heronj të Kosovës.
Reagimi është bërë publik në emër të Familjes Lladrovci nga Ramiz Lladrovci.


















