Pavarësisht që përfaqësuesit e Listës Serbe janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës të nivelit qendror dhe lokal, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ata janë pjesë e delegacionit të Serbisë.
Këtë e ka konfirmuar edhe Goran Rakiq, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut nga Lista Serbe, i cili së fundmi ka qenë i pranishëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Unë kam qenë anëtar i delegacionit të Beogradit edhe me ftesën e Bashkimit Evropian dhe qëllimi im është që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një kompromis. Ndërkaq, definicioni i kompromisit është zgjidhja e problemit me pakënaqësi të të dyja palëve”,tha Rakiq.
Por, kjo situatë, ku në dialogun Kosovë- Serbi, serbët që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, në fakt janë pjesë e delegacionit të Serbisë në Bruksel, sipas analistit të çështjeve politike, Halil Matoshi, është më shumë se paradoksale.
“Jo vetëm që është paradoksale, por është rast unik në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që përfaqësuesit politik, ministrat, zëvendëskryeministra, të një shteti, të përfaqësojnë një shtet tjetër ose së paku, të deklarohen se përfaqësojnë një shtet tjetër. Por, kjo mund të ndodhë vetëm në Ballkan dhe vetëm në Kosovë”.
Por, Rakiq, nuk e sheh këtë situatë si paradoksale. Sipas tij, është e parëndësishme se kush në cilin delegacion është, në qoftë se dëshirohet të gjendet zgjidhja e problemeve.
Megjithatë, sipas tij, është e dukshme që autoritetet e Kosovës i shohin problemet skajshmërisht ndryshe nga Serbia.
“Nëse ata konsiderojnë që veriu dhe katër komunat e veriut janë pjesë e Kosovës, atëherë pse ata duhet të bisedojnë me Beogradin? Pse nuk thonë se ‘kjo është e jona dhe nuk kemi çfarë të bisedojmë’? Në qoftë se Prishtina po përpiqet që peshën e problemit ta bartë në veri, duke i fshehur problemet e veta që i ka në tërë territorin e Kosovës, atëherë nuk do të arrijmë kurrë deri te një rezultat konkret”, tha Rakiq.
Por, me gjithë insistimin që të marrim përgjigje lidhur me pyetjet që ka ngritur Rakiq, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, nuk janë prononcuar.
Në anën tjetër, analisti Matoshi, vlerëson se Qeveria e Kosovës është e pa aftë dhe pafuqishme që t’i bindë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që t’ia dëshmojnë besnikërinë.
Sipas tij, situata e tanishme nuk i pengon përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të bisedojnë me Listën Serbe.
“Të bisedosh me qytetarët tu, nuk është kurrfarë tërheqje apo zmbrapsje, por pikërisht dëshmohet fuqia për t’i zgjidhur problemet me debat demokratik. Prandaj, edhe Prishtina zyrtare nuk është krejtësisht e pafajshme që nuk ka hyrë në dialog të vazhdueshëm me serbët e Kosovës, para se të krijohej Lista Serbe, e cila dihet se është krijuar nga Beogradi zyrtarë dhe e cila praktikisht, i mbanë fuqishëm ende qëndrimet e Beogradit zyrtar për sa i përket Kosovës”.
Por, Rakiq, vlerëson se tash për tash nuk është gati se e pamundur që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të bisedojnë vetëm me Prishtinën zyrtare për zgjidhjen e problemeve, pa praninë e Serbisë, si dhe faktorit ndërkombëtarë, që sipas tij, mund t’i garantojë marrëveshjet eventuale.
“Natyrisht që nuk dëshiroj të bisedojmë në këtë mënyrë, sepse nuk është arritur mirëbesimi ndërmjet Prishtinës dhe veriut. Ky mirëbesim nuk ekziston. Në momentin kur ky mirëbesim do të arrihej, ne do të ishim të gatshëm të bisedojmë. Por, Prishtina nuk i përmbahet marrëveshjeve në qoftë se këtë nuk e garanton bashkësia ndërkombëtare” , u shpreh Rakiq.
Analisti Matoshi ka theksuar se kjo situatë reflekton mungesën e një presioni nga Bashkimi Evropian ndaj Beogradit zyrtarë, që t’i lë të lirë serbët e Kosovës që t’i përfaqësojnë interesat e tyre dhe jo t’i nxisë në armiqësi me palën shqiptare të Kosovës.