Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Listën Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, me 45,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Sipas vendimit të PZAP-it, ankesa e paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, është pranuar si e bazuar. Ankesa, e regjistruar me numrin ZP.Anr.46/2025 dhe e datës 26 dhjetor 2025, ka konstatuar se Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.
“PRANOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, ZP.Anr.46/2025, e datës 26.12.2025, kundër Subjektit Politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 28 dhjetor 2025. Subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, shqiptohet dënim me gjobë në lartësi prej 45,000.00 (katërdhjetë e pesë mijë) Euro”, thuhet në vendim.
Po ashtu, PZAP ka njoftuar se Lista Serbe është e obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.



















