​Lisi 30 metra bie mbi nëna e fëmijë, vdesin 3 persona, edhe një vajzë 10-muajshe

E publikuar: 07/04/2026 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona, përfshirë një vajzë 10-muajshe, vdiqën, të dielën, në veri të Gjermanisë, kur një lis i gjatë rreth 30 metra, i cili u rrëzua si pasojë e erërave të forta, ra mbi ta, gjatë një aktiviteti për kërkimin e vezëve të Pashkëve, tha policia e këtij shteti.

Në këtë ngjarje, që u organizua për nëna të reja, gra shtatzëna dhe fëmijë, pranë qytetit Satrupholm, po merrnin pjesë rreth 50 persona nga një qendër banimi pranë.

Kur lisi ra, katër persona mbetën të bllokuar nën të. Një grua 21-vjeçare dhe një vajzë 16-vjeçare u trajtuan nga ekipet e emergjencës, por humbën jetën në vendngjarje, ndërsa vajza 10-muajshe e nënës 21-vjeçare ndërroi jetë më vonë në spital. Një grua 18-vjeçare pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në spital me helikopter.

Në pamjet e shfaqura nga televizioni RTL duket disa vezë të Pashkëve dhe një shportë e bërë me dorë, të shpërndara në tokë.

Kryetarja e komunës së Mittelangeln, nën juridiksionin e së cilës bie edhe Satrupholm, Britta Lang, tha se ngjarja që ndodhi e la “pa fjalë”.

“Të shohësh njerëz kaq të rinj që humbasin jetën në një të diel të stuhishme të Pashkëve — askush nuk dëshiron ta shohë këtë. Pashkët duhet të jenë kohë gëzimi dhe shprese. Dhe mendoj se, për momentin, këtu në komunitet, ajo është kthyer në një kohë trishtimi,” tha Lang për RTL, transmeton AP, përcjellë KosovaPress.

Edhe zyrtarë qeveritarë nga rajoni Schleswig-Holstein, ku ndodhet qendra, thanë se ishin “thellësisht të tronditur” nga aksidenti.

Shërbimi meteorologjik gjerman bëri të ditur se zona ku ndodhi tragjedia kishte qenë nën paralajmërim për erëra të forta.