Lirohet hapësira publike në një rrugë të Tiranës, procedohen penalisht babë e bir

E publikuar: 15/07/2025 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë liruar një hapësirë publike në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, e cila ishte zënë në mënyrë të kundërligjshme nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar më herët për këtë shkelje.

Sipa sPolicisë, në vijim të këtij operacioni, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe djali i 67-vjeçarit, shtetasi E. D., 25 vjeç, për veprime të kundërligjshme në lidhje me të njëjtën hapësirë.

Sipas Policisë, familjarët kishin bllokuar vazhdimisht hapësirën publike duke vendosur blloqe betoni dhe automjete, ndërkohë që kishin krijuar përplasje të vazhdueshme me banorët e zonës, duke i penguar ata të parkonin mjetet e tyre.

Në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, janë ndërmarrë veprime të koordinuara nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Drejtoria e Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave e Bashkisë Tiranë.

Gjatë aksionit, u hoqën blloqet e betonit nga hapësira publike, ndërsa më herët ishin sekuestruar dy automjete të vendosura në mënyrë të paligjshme.

67-vjeçari B. D. u arrestua më 7 korrik 2025 nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.