Gjykata Themelore në Pejë liroi të akuzuarit Bajram Gashi dhe dy shtetasit shqiptarë Skender Driza e Nexhat Mlloja të cilët akuzoheshin për marrëveshje për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Ata akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Pejë se në fillim te vitit 2014 kishin planifikuar vrasjen e Valdet Zekajt pas një konflikti që ky i fundit kishte pasur me Bajram Gashin.
Në cilësi të dëshmitarëve të premten u deklaruan të akuzuarit Gashi, Driza, Mlloja të cilët mohuan kategorikisht veprën penale për të cilën ngarkoheshin.
Por Prokurori i rastit, Agim Kurmehaj, nuk u bind nga deklaratat e të akuzuarve.
“Deklaratat e të akuzuarve nga Shqipëria të dhëna në polici ku edhe pranuan veprën, krahasuar me deklaratat e dhëna në prokurori janë në kundërshtim me njëra- tjetrën”, u shpreh prokurori duke qëndruar në tërësi pas aktakuzës së ngritur.
Në lidhje me këtë, Nexhat Mlloja i cili akuzohej se ishte i përfshirë në vepër penale, tha para gjykatës se Policia natën e arrestimit kishte ushtruar dhunë fizike me qëllim që ta shtyjë atë ta pranojë veprën.
Mlloja tha se ai kurrë nuk ishte i përfshirë në një aktivitet të tillë dhe se bashkëpunimi me dajën e të dëmtuarit, Naim Hajrizaj, ishte bërë me qëllim te hakmarrjes për një borxh prej 12 mijë euro që Skender Driza i kishte Mllojes, ndërsa Bajram Gashi, sipas tij, ishte garantues i atij borxhi.
“E kam ditur që Bajrami dhe Valdeti kanë pasur një problem, andaj e gënjeva dajën e Valdetit, Naim Hajrizaj se gjoja Bajrami ka paguar njerëz për vrasjen e Valdetit, kështu që shfrytëzova rastin që të luaj rolin e ndërhyrësit për t’i pajtuar, në mënyrë qe t’i nxjerr paratë që mi kanë borxh Bajrami dhe Skenderi,dhe për këtë arsye prokuroria ngriti aktakuzë ndaj meje si një nga të implikuarit”, tha Mlloja.
Ai tha se biseda ishte incizuar nga policia pa qenë në dijeni për një gjë të tillë.
Ndërsa i akuzuari tjetër Skender Driza tha se arseja e mospërputhjes së deklaratave të tij të dhëna në polici dhe prokurori, ishte dhuna e pjesëtarëve të policisë natën e arrestimit.
“Unë kam qenë i detyruar të jap deklaratë tjetër në polici nga ajo qe kam dhënë në prokurori sepse natën e arrestimit jam rrahur brutalisht nga policia rreth 3 orë dhe e tëra kjo kishte ndodhur pa prani të avokatit tim”, tha Driza.
Ai tha se për Valdet Zekajn kishte dëgjuar vetëm ditën kur është mbajtur seanca e kaluar.
Ndërsa Bajram Gashi nuk dëshmoi fare pasi vendosi që të mbrohet në heshtje.
Gjykata ndaj shpalli aktgjykim lirues ndaj të tre të akuzuarve në mungesë provash, ndërsa Bajram Gashi u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje, duke u dënuar me 6 muaj burgim.
Atij i është llogaritur kohëzgjatja prej 6 muaj e paraburgimit, ndërsa dy shtetasve shqiptarë iu ndërpre masa e paraburgimit.
Zeqir Bërdyna, avokat i të akuzuarit Mlloja, e quajti të drejtë vendimin e gjykatës.
“Aktgjykimi është i drejtë pasi që në asnjë rrethanë nuk pati prova që i mbrojturi im ka kryer vepër penale”, tha Bërdyna.
Edhe avokati Ndrec Doda që e mbrojti të akuzuarin Driza u nda i kënaqur me aktgjykimin.
Në seancë mungoi prokurori i rastit Agim Kurmehaj.



















