“Liria ka Emër” merr mbështetjen e Ali Ahmetit për marshin e 17 shkurtit

E publikuar: 07/02/2026 16:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë realizuar sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të takimeve me veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare dhe përfaqësues politikë shqiptarë në rajon.Vizita e parë u zhvillua me Ali Ahmetin, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili u njoftua nga përfaqësuesit e platformës me misionin e “Liria ka Emër”, aktivitetet e deritanishme dhe mobilizimin e gjerë qytetar për Marshin e madh “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë.Gjatë takimit, Ahmeti theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj kauze, duke nënvizuar se drejtësia për çlirimtarët është pjesë e dinjitetit kolektiv të shqiptarëve.

“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, e domosdoshme dhe historikisht e pastër. Ata që udhëhoqën dhe mbrojtën këtë luftë nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është në shtëpi, pranë familjeve dhe popullit të vet, dhe ata duhet të kthehen sa më parë”, tha Ahmeti.

Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, tha se mobilizimi po rritet çdo ditë dhe se marshi i 17 shkurtit do të jetë shprehje e një zëri të fuqishëm qytetar.