Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kanë realizuar një vizitë pune në kompaninë prodhuese “Liri” në Prizren. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë, sfidat e mungesës së punëtorëve profesional dhe furnizimin jostabil me energji elektrike.
Drejtori i DhTIK-së, Kushtrim Ahmeti, riafirmoi mbështetjen për sektorin prodhues. Kompania “Liri”, me traditë që nga viti 1948, operon sipas standardeve ISO dhe HACCP dhe eksporton produktet e saj në disa vende evropiane.
Postimi i plotë:
Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kanë realizuar një vizitë pune në kompaninë anëtare “Liri” në Prizren, një prej bizneseve prodhuese me traditë në vend.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanisë është biseduar për angazhimet aktuale dhe projektet ardhshme të DhTIK-së, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Një prej temave kyçe të diskutimit ishin sfidat e mungesës së punëtorëve profesional, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e prodhimit. Po ashtu, u ngrit shqetësimi për furnizimin jostabil me energji elektrike, duke theksuar se reduktimet po shkaktojnë jo vetëm humbje operative, por edhe probleme teknike në pajisje, çka rrit kostot dhe ul efikasitetin e prodhimit.
Drejtori i DhTIK-së, Kushtrim Ahmeti, riafirmoi gatishmërinë për të adresuar këto çështje përmes kanaleve institucionale dhe për të vazhduar mbështetjen për kompanitë e sektorit prodhues.
“Liri” si brend për herë të parë është themeluar në vitin 1985 në Prizren, themelimi i tij ishte kulminimi i një tradite familjare që zgjat tre gjenerata, e cila ka filluar në vitin 1948.
Duke qenë në hap me standardet dhe trendet botërore, Liri tashmë implementon standardet ISO dhe HACCP, derisa kapacitetet prodhuese arrijnë në mbi 18 tonë në ditë.
Pos tregut të Kosovës, prodhimet cilësore të Liri-t gjenden edhe në Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Gjermani, Zvicër, Suedi, Itali dhe Britani të Madhe.


















